10 kampionate pa titull janë shumë për një skuadër si Inter, që në sezonin e dytë të Antonio Kontes në drejtimin e zikaltërve i ka rikthyer lavdinë e shumëkërkuar tifozerisë zikaltër.

Pas fitores 2-0 në transfertë ndaj Krotones, zikaltërit i ndan vetëm matematika nga shpallja kampion të Serie A. Por, edhe kjo jo për shumë kohë. Nëse Atalanta e vendit të dytë nuk fiton dot këtë të diel, atëherë Inter është edhe matematikisht fituesi i titullit të Italisë.

Në javën e 34-të të Seria A zikaltërit e Antonio Kontes u përballën me Krotonen e vendit të fundit, në një ndeshje që nuk rezultoi aq e lehtë sa dukej. U desh të mbërrinte minuta e 69 që të thyhej rezistenca e Krotones, falë një goli të danezit Eriksen. Goli i dytë në minutat shtesë i Hakimit startoi festen e zikaltërve që tashmë e shohin veten në kuotën e 82 pikëve.

Në rast se Atalanta e vendit të dytë, që ka 68 pikë, nuk arrin të fitojë ndaj Sasuolos, atëherë Inter shpallet zyrtarisht kampionm, 4 javë para përfundimit të kampionatit.

Klan News