Futbollistë të infektuar në të dy kampet

Derbi Inter-Milan, do të luhet pasditen e sotme në orën 18:00 në “San Siro”, me praninë e 1 mijë tifozëve. Ky derbi vjen ndryshe nga herët e tjera, sepse nga radhët e ekipeve ka të infektuar me Covid-19 dhe të dëmtuar. Deri më tani, 9 me 5 është raporti në dëm të zikaltërve, të cilëve u është shtuar sulmuesi Alexis Sanchez i dëmtuar.

Në kampin kuqezi, lajmi i mirë është dalja negativ e Ibrahimoviç, i cili është stërvitur dy ditët e fundit normalisht dhe pritet të udhëheqë Milanin. Pas 3 javëve, Inter ka 7 pikë, ndërsa Milan pikët e plota 9. Edhe pse shumë shpejt për të thënë, derbi mund të jetë një hap drejt titullit, pasi të dyja skuadrat kanë investuar shumë në merkato.

“Derbi ka vështirësitë e veta, pasi përballemi me një skuadër të fortë, e cila e mbylli sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe e nisi sezonin me të njëjtin motivim si vitin e kaluar”, tha Conte.

“E prisja të vija në këtë derbi kështu dhe kaq të motivuar. Të mundësh një kundërshtar kaq të fortë sa Interi, do të na jepte një entuziazëm dhe moral tepër të lartë për vazhdimësinë. Nesër nuk është thjesht një ndeshje, por një provim”, tha Pioli.

Milan nuk fiton ndaj Interit në kampionat që nga 31 Janari i vitit 2016. Hera e fundit që kuqezinjtë fitonin ishte 27 Dhjetor 2017 në Kupën e Italisë. Ndërsa Pioli si trajner nuk fiton ndaj Interit që nga 20 Dhjetori 2015.

Megjithatë, në derbi shifrat pak kanë rëndësi, pasi vendosin episodet, qoftë edhe një i tillë. Do të jetë edhe një duel gjigantësh në sulm, Lukaku nga njëra anë dhe në krahun tjetër Ibrahimoviç. Gjithashtu, edhe strategji trajnerësh me eksperiencë në Serinë A dhe jo vetëm. Gjithsesi, Inter-Milan do të mbërthejë tifozët para ekranit dhe do të dhurojë shfaqjen e radhës.

Tv Klan