Milan fiton me Bolonja dhe mbetet në krye

Milan fitoi 2-1 ndaj Bolonjës duke mbajtur kreun e renditjes. Me këtë sukses kuqezinjtë lanë pas 2 humbje njëra pas tjetrës, me Atalantën në kampionat dhe Interin në Kupë.

Goli i parë u realizua nga Rebiç pasi Ibrahimoviç humbi një penalltinë. Kuqezinjtë dyfishuan rezultatin në pjesën e dytë sërish nga pika e bardhë, por këtë herë Kesi nuk gaboi. Bolonja ngushtoi rezultatin 10 minuta para fundit, por nuk mundi të shkojë më tej edhe pse pati disa raste.

Interi nuk i ndahet Milanit dhe ruan diferencën prej 2 pikësh në renditje pasi zikaltrit fituan thellë 4-0 ndaj Beneventos në San Siro. Ishte një autogol i vendasve që zhbllokoi sfidën që në minutën e 7-të pas një goditjeje të Eriksen. Në nisje të pjesës së dytë dyfishoi Lautaro Martinez me goditje në hyrje të zonës. Pokeri i Interit u vulos nga 2 gola të Lukakut.

Vendi i tretë i renditjes mbahet nga Juventus që fitoi 2-0 në fushën e Sampdorias. Kieza shënoi në minutën e 20-të ndërsa goli i dytë u realizua nga Ramsei në të 91-tën.

Tv Klan