Rihapet Seria A, Juventus i falet mbrojtësve

Inter nuk gjen forcën për të reaguar në kampionat dhe pas barazimit me Napolin është ndalur po në barazim 1-1 nga Spezia. Zikaltërit u shfaqën të pamotivuar në fushën e blertë, kjo dukshëm e ndikuar dhe nga hapi fals i rivalëve të Milanit. Inter pësoi gol shumë shpejt.

Në minutën e 12-të Farias zuri në befasi prapavijën e Interit dhe me goditje nga hyrja e zonës mposhti Handanovic. Disavantazhi rriti presionin e kryesuesve të Seria A, që gjetën golin në fundin e pjesës së parë me Perisic. Fraksioni i dytë dhuroi shumë raste, por jo gola.

Tashmë Inter numëron 10 pikë më shumë se Milani ndjekës, që u mposht me përmbysje në shtëpi 1-2 nga Sassuolo. Çalhanoglu zhbllokoi sfidën shumë shpejt. Sassuolo reagoi dhe rrjetës së turkut iu përgjigj Raspadori me dopietë.

Sulmuesi i ardhur nga stoli përmbysi gjithçka, me Milan që tanimë ndjen presionin e rivalëve. Juventus numëron 1 pikë më pak se ta, pas fitores po  me përmbysje 3-1 në Torino përballë Parmës.

Mbrojtja ishte reparti që vendosi fatet e kësaj sfide, pasi pikërisht nga ky repart u shënuan të 3 golat për Juventusin. Aleks Sandro me dopietë dhe Matia de Ligt, i cili vulosi rezultatin përfundimtar në 3-1.

Klan News