Milan bie përballë Napolit, zhgënjen Roma

Milan ka bërë një tjetër hap fals në garën për titull në Itali. Kuqezinjtë u mposhtën 1-0 nga Napoli në shtëpi, duke parë kreun që mbahet nga Inter, të largohet akoma dhe më shumë.

Fraksioni i parë i lojës kishte një ritëm tejet të lartë, por të dy ekipet u kujdesën më shumë për fazën mbrojtëse. Pjesa e dytë nisi praktikisht me gol për napoletanët. Hysaj rikuperon një top në mbrojtje dhe kundërsulmi i jugorëve ishte tepër i shpejtë.

Politano shërbehet nga Zjelinksi dhe me një diagonale fantastike mposhti Donnaruma. Gol që mbeti në fuqi deri në fund, me Milanin që ngel 9 pikë pas Interit, ndërsa Napoli ngjitet në vendin e 5-të me 50 pikë.

Inter përfiton nga rivalët dhe nis revanshin drejt titullit. Zikaltërit triumfuan 2-1 përballë Torinos, që rrezikon jo pak rënien nga kategoria në fund të sezonit.

Sërish vendimtar dyshja sulmuese, Lukaku dhe Martinez, gola që 11 javë nga fundi mund të vlejnë titullin. Rezultat zhgënjyes regjistroi Roma, në transfertën e Tardinit. Parma fitoi 2-0, një trepikësh që rrit shpresat për mbijetesë në fundin e sezonit.

Ndërkohë nga ana tjetër, Roma rrezikon një biletë për në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm.

Klan News