Simaku: Redukton me 90% mundësinë e shfaqjes së kancerit të qafës së mitrës

Me nisjen e muajit Nëntor, në kalendarin e vaksinimit në vend është përfshirë edhe vaksina kundër HPV, virusi i cili shkakton kancerin e qafës së mitrës.

Ekspertët e shëndetit publik thonë se ka një interes të lartë për këtë vaksinë, ndërkohë që përgjatë këtyre tre javëve janë vaksinuar mbi 1200 vajza 13-vjeçare.

“Ka shumë interes, vaksinimi po shkon shumë mirë , pra futja në kalendarin kombëtar të vaksinimit kundër HPV është një arritje shumë e madhe për shëndetësinë shqiptare. Është vaksinë 4 valente dhe përmban 4 shtamet kryesore të Papiloma Virusit që shkaktojnë kancerin e qafës së mitrës. Është vetëm me një dozë, në disa vende është aplikuar më parë me dy doza, mirëpo studimet e fundit kanë treguar se një dozë është mëse e mjaftueshme për të dhënë imunitet të qëndrueshëm gjatë gjithë jetës”, ka thënë epidemiologu Artan Simaku.  

Kjo vaksinë shmang shfaqjen e kancerit të qafës së mitrës.

“Studimet kanë treguar në vendet ku është aplikuar më parë kjo vaksinë, prej mbi 16 vjet, tashmë ka një reduktim nga 50 deri në 90 % të rasteve me kancer të qafës së mitrës dhe të llojeve të tjera të kacereve tek popullata e grave”, ka thënë Simaku.

Gjatë një vitit synohet që 13,000 deri në 15,000 vajza, imunizohen dhe të fitojnë imunitet kundër këtij virusi të rrezikshëm.

Klan News