Greqia dhe Bullgaria kanë lëshuar sot në përdorim interkonektorin e përbashkët, i cili u cilësua si një projekt që do ta ndryshojë hartën energjetike të Europës, duke rritur sigurinë energjetike dhe duke mundësuar diversifikim të burimeve të furnizimit me gaz në rajon. Në ceremoninë e lëshimit zyrtar të këtij projekti që u mbajt në Pallatin Nacional të Kulturës në Sofje, presidenti bullgar, Rumen Radev tha se ky rrjet i gazit është mundësi jo vetëm për Bullgarinë, por edhe për Rumaninë, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe shumë vende të tjera të Europës Qendrore dhe Juglindore.

“Për këtë, interkonektori mes Bullgarisë dhe Greqisë nuk është vetëm projekt infrastrukturor, por simbol i potencialit të rritur të rajonit tonë, bashkëpunim i suksesshëm dhe ndërlidhjes tonë, që kontribuojnë për zhvillimin tonë të qëndrueshëm përmes realizimit të strategjisë së përbashkët europiane, për energji më shpresëdhënëse, të lirë dhe të sigurt”, deklaroi Presidenti bullgar Rumen Radev.

Ndërkohë, kryeministri grek, Kirjakos Micotakis tha se ky gazpërçues ndërlidh vende europian që ndajnë vlera të njëjta dhe solidaritet dhe theksoi rëndësinë e një strategjie të përbashkët evropiane për tejkalim të krizës.

Një zgjidhje evropiane do të na ndihmojë, e cila shpresoj se do të finalizohet gjatë takimeve tona të ardhshme në Pragë dhe Bruksel. Sikurse për pandeminë, do të duhet të zbatojmë strategji të përbashkët për ballafaqim me krizën që ta eliminojmë fragmentimin, që të jemi të sigurt se e vendosim solidaritetin evropian mbi të gjitha, mbi interesat nacionale”, deklaroi Kryeministri i Greqisë Kirjakos Micotakis.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula fon der Leyen, e cila e ka quajtur këtë projekt “epokë të re për Bullgarinë”, pasi ky vend, para luftës, 80% të gazit e merrte nga Rusia. Zyrtarja europiane theksoi se “Europa ka gjithçka që i duhet për t’u çliruar nga derivatet fosile ruse”.

“Europa mund të çlirohet nga varësia energjetike ruse dhe së bashku do të bëjmë union të fuqishëm energjetik. Shantazhi energjetik rus duhet të ndalet. Ky gazpërçues i ndryshon rregullat e lojës edhe për Bullgarinë edhe për sigurinë energjetike të Europës. Ky projekt nënkupton çlirim nga varësia nga gazi rus. Ky interkonektor mund ta mbulojë konsumin e plotë të gazit në Bullgari, që është lajm i shkëlqyer në këto kohë të vështira”, deklaroi Ursula Fon Der Leyen, Presidente e Komisionit Europian.

Interkonktektori i gazit mes Greqisë dhe Bullgarisë që ka për qëllim të sigurojë diversifikim, jo vetëm të rutave, por edhe të burimeve të gazit natyror për Bullgarinë dhe rajonin më të gjerë, është i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, pasi i mundëson qasje edhe në depot për gaz natyror në Bullgari, përmes të cilit mund të furnizojmë gaz natyror likuid nga terminale në qytetin grek Aleksandropolis, ndërsa gjatë verës kur është më lirë ta ruajmë në Bullgari, me mundësi ta shfrytëzojmë në dimër kur është më se i nevojshëm.

Klan Macedonia