Kokëulur për orë të tëra duke naviguar rrugëve në internet me celularë. Pamje të tilla nuk ishin parë në Kubën komuniste, deri të mërkurën kur qeveria lejoi shërbimin e internetit në telefoninë celulare.

Siç duket, kubanët janë mjaft kureshtarë të navigojnë me celularë në internet pavarësisht çmimit tepër të lartë. Një paketë me 4 gigabajt internet 3G kushton 30$, aq sa rroga mesatare mujore. Dhe kjo është vetëm një prej shqetësimeve për klientët.

“Ajo që mungon është shqërimi jo mjaft i qëndrueshëm. Duhet përmirësuar sinjali, sepse që nga provat e fundit tregoi që nuk ishte shumë i fortë. Problem është edhe çmimi i internetit. Jemi ndër vendet më të varfra në botë me çmimin më të lartë të internetit”.

Por pavarësisht çmimeve të papërballueshme, mbi 50% e banorëve të ishullit kanë celularë. E vetmja kompani që operon në treg është ETECSA, me kapital 100% shtetëror. Interneti përdoret në Kubë prej 2013-ës pas reformave demokratike që nisi të ndërmarrë ish-presidenti Raul Kastro. Ndërsa vitin e kaluar u përhap gjerësisht interneti me valë Wi-Fi. Por gjithësesi kontrolli shtetëror mbi internetin është i rreptë.

Tv Klan