Intervista e emisionit “Opinion” realizuar më 28 Nëntor 2002 ka pasur protagonist Presidentin e Republikës, Alfred Moisiu.

Ndryshe nga intervistat e zakonshme lidhur me punën, në intervistën përballë gazetarit Blendi Fevziu, Presidenti rrëfeu më shumë për jetën e tij. Ai rrëfeu se gjatë periudhës që babai i tij ishte ushtarak, familja e tij lëvizte nëpër qytete të ndryshme.

“Ushtarakët e asaj kohe, të mbretërisë së Zogut bënin shumë lëvizje dhe gati çdo vit bënin transferime. Ne jemi tre fëmijë që jemi gjallë sepse një pjesë kanë vdekur. Kam lindur në Shkodër, vëllai në Pogradec dhe motra në Berat, me këtë dua të tregoj se sa lëvizje bëheshin. E kishim këtë vështirësi, por nga ana ekonomike ishin tepër të siguruar. Ime më nuk ka punuar kurrë. Unë i përkas një brezi që ka pasur ngarkesë të vazhdueshme gjatë gjithë jetës së tij dhe kjo ngarkesë ka filluar që në moshën 12 vjeç. Ne jetonim në Lushnje në atë kohë dhe im atë më solli të kryeja gjimnazin në Tiranë sepse nuk kishte në çdo qytet gjimnaz. Mbaj mend që fshehtas ne mblidheshim të gjithë bashkë, mësonim me zë të ulët këngët patriotike, lexonim komunikatat, ishim të gjithë të frymëzuar sapo shihnim flamurin kombëtar. Uniformat dhe pajisjet ushtarake të babit tim që ndodheshin në shtëpi, për mua si për çdo fëmijë ishin shumë tërheqëse. Në vogëli, kur bisedoja me nënën, për t’i rrëfyer dashurinë, shpesh i thosha se kur të rritesha do të bëhesha doktor, që të kujdesesha për shëndetin e saj. Më vonë, kur shikoja që ndërtoheshin shtëpi, rrugë, ura ndërrova mendje dhe i thosha që do të bëhem inxhinier. Por duke e pasur shumë përzemër profesionin e ushtarakut, u specializova në të njëjtën kohë edhe si inxhinier, pra u bëra inxhinier ushtarak”, rrëfeu Moisiu./tvklan.al