Politikani Arben Malaj ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu lidhur me zhvillimet politike në vend dhe në PS. Në intervistën e realizuar më datë 31 Maj të vitit 2001, Malaj mbante postin e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste . Një nga problemet ku ishte fokusuar media shqiptare në atë kohë ka qenë fushata elektorale. Mediat shkruanin se fushata e 2001 po vuante nga mungesa e ideve dhe se ishte fushatë e “thatë”.

“Mendoj se fushata elektorale nuk është e zbehtë. Natyrisht në një fushatë elektorale ka dy palë, ajo që qeveris vendin dhe opozita. Nga pikëpamja e imazhit duket sikur opozita është më prezente me organizimin e saj, por unë besoj se e reja që sjellim ne në politikën shqiptare është fakti që përgjegjësia e qeverisjes dhe asaj që është arritur të detyron të jesh i matur përballë një përgjegjësie për të qenë të realizueshme në një mandat të dytë. Them që është një zhvillim i mirë që forcat politike arrijnë të ndërgjegjësohen në vizionin dhe premtimet për të nesërmen. Në këtë këndvështrim them që PS është e qartë në vizionin e saj për një mandat të dytë, e kujdesshme në premtime dhe kjo tregon edhe përgjegjësi”, tha Malaj.

I pyetur nëse në PS ka mungesë koordinimi dhe situatë kaotike mes strukturave qeverisëse dhe strukturave të Partisë Socialiste, Malaj tha se ky është një element i ri në fushatë.

“Unë besoj se është një element i ri në Partinë Socialiste që besimi i fushatës i është besuar dy figurave kryesore të Partisë Socialiste, kryetarit të partisë dhe kryeministrit, të cilët janë thuajse sëbashku në të gjitha takimet prezantuese. Mesazhi jo i qartë ndoshta vjen nga prezantimet individuale. Mesazhet e PS dhe mesazhet e qeverisë janë në përputhje të plotë edhe me platformën edhe me programin e së nesërmes”, tha Malaj. /tvklan.al