Dosier-Pas mbylljes së fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale të vitit 2003, ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka qenë i ftuar në emisionin “Opinion”.

Në intervistën realizuar më datë 10 Tetor të vitit 2003, përballë gazetarit Blendi Fevziu, Berisha e cilësoi fushatën e kandidatit të asaj kohe për Bashkinë Tiranës, Spartak Ngjela, si të jashtëzakonshme. Ish-kreu i Partisë Demokratike deklaroi se fushata e kandidatit të PD, Ngjela, nuk ishte parë që prej 1996-s.

“Euforia bie, por kurora e fitores mbetet. Mitingu i Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Kurbinit ishte kurora e fitores së datës 12 Tetor. Tani me eufori apo pa eufori fitorja përshëndetet. Këtë herë ka qenë një fushatë elektorale që PD nuk e ka pasur që nga 1996-ta. Nëse analizon fushatën e Tiranës, avokati ka bërë fushatën më intensive dhe më të bukur që Tiranë ka njohur. Ka zhvilluar në 30 ditë, mitingje dhe takime masive. Janë realizuar mbi 35 të tilla. Është realisht një fushatë e përmasave të mëdha dhe kjo është meritë e kandidatëve. Nëse avokati nuk do të prekte problemet që iu dhembin atyre, atëherë fushata do të shkonte duke u pakësuar. Ai ka një meritë të jashtëzakonshme. Nuk kam qenë unë ai që i kam dhënë fytyrën fushatës këtë herë, ka qenë avokati Spartak Ngjela”.

“Në fillim të fushatës ai filloi takimet, rivali i tij filloi fushatë imponuese. Avokati shkoi dhe iu tha qytetarëve: “Qendra nuk ka qenë problemi më i madh i Tiranës, problemi i Tiranës ka qenë Tirana jashtë qendrës”. Ai e zbriti fushatën në nivel lokal. Fushatën e Tiranës si model nuk e ndoqën vetëm kandidatët e PD, por edhe kandidatë të partive të tjera. Fushata e tij u shndërrua në një fushatë të problemeve konkrete të qytetarëve. Nuk kam pasur asnjë dyshim kur kam kandiduar Ngjelën, kam pasur bindjen se ishte i duhuri. Kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë bashkë. Rolet tona u ndanë, ai mori qytetarët unë mora qeverinë”.

“Kjo fushatë shënon fushatën më të mirë që vendi ka njohur për problemet lokale. Unë do doja t’i merrja meritat vetë, por kësaj here duhet t’ia jap meritat atij që i meriton. Ai u bë një me qytetarët dhe për këtë më ka ardhur shumë mirë. Unë nuk jam ndjerë jashtë fushatës, por kam ndjerë kënaqësi për fushatën”,

tha Berisha.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012