Kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama ka konfirmuar edhe një herë kandidaturën e tij për postin e kreut të Partisë Socialiste.  I ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu kryebashkiaku tha se investimi i tij në këtë garë është një sakrificë pasi ka përgjegjësi të mëdha. Ai u shpreh se qëllimi i kësaj gare është të vendosin disa rregulla dhe të kthejnë anëtarin e PS si arsyen e ekzistencës së kësaj force politike.

“Unë e kam shpallur vendimin tim për të kandiduar për kreun e Partisë Socialiste, i qëndroj këtij vendimi që do të institucionalizohet në kongresin e 8 Tetorit. Duke e konsideruar investimin tim në këtë garë si një barrë që përmban brenda një sakrificë mund t’iu them se ka qenë një vendim i menduar mirë. Qëllimi i kësaj gare sipas meje duhet të jetë mbyllja përfundimtare e një kapitulli që është konsideruar i shëmtuar dhe ku divergjencat janë kthyer në armiqësi, armiqësia ka prodhuar baltë dhe ku balta ka ndotur imazhin e Partisë Socialiste. Në këtë funksion ne të gjithë bashkë duhet të vendosim disa rregulla dhe duhet të kthejmë anëtarin e PS si arsyen e ekzistencës së kësaj force politike”, tha Rama./tvklan.al