Pas zgjedhjes si kryetar i Bashkisë Tiranë, Edi Rama ka dhënë intervistën e parë si kryebashkiak për emisionin “Opinion” në Tv Klan më 10 Maj të vitit 2001.

Gjatë intervistës së tij përballë drejtuesit të emisionit Blendi Fevziu, Rama tha se posti i kryebashkiakut është me përgjegjësi të madhe. Ai shtoi se në vitin e parë të mandatit si kryetar bashkie është hedhur një hap i rëndësishëm përsa i përket shtrimit të rrugëve dhe se do të investohej më shumë se sa në 10 vitet e kaluara të mbledhura sëbashku.

“Një post është komod nga mënyra se si konceptohet apo se si administrohet. Mendoj se paraardhësit e mi kanë qenë shumë më komodë si kryetarë bashkie se sa unë si Ministër Kulture. Mendoj se posti i kryebashkiakut është shumë më shumë me telashe se sa ai i Ministrit të Kulturës. Unë si njeri që pëlqej t’i hap vetes telashe edhe si Ministër Kulture nuk kam qenë edhe aq komod. Një nga pjesët më të vështira të punës time si kryetar bashkie është sektori i rrugëve. Këtë vit të parë të mandatit tim si kryetar bashkie është hedhur një hap i rëndësishëm përmbysjeje në këtë drejtim. Në rrugët e Tiranës këtë vit po investohet më shumë se sa në 10 vitet e kaluara të mbledhura sëbashku. Gjithashtu po investohet një fond i konsiderueshëm nga të ardhurat e bashkisë, gjë që ndodh për herë të parë. Rrugët e shtruara më përpara janë bërë thjeshtë për zgjedhjet e radhës pa llogaritur faktin që janë paratë e taksapaguesve. Ajo që unë dua të nënvizoj është fakti që të gjitha rrugët që ne do të shtrojmë në Tiranë të paktën për sa kohë do të jem unë përgjegjësi kryesor janë me projekte të plota, ujësjellës, kanalizim, ndriçim,trotuare, plus asfalt. Kjo do të thotë që rrugët do të kenë një jetë më të gjatë se rrugët e shtruara deri më tani. Kur unë kam bërë betimin si kryetar i bashkisë ka filluar numërimi i 300 ditëve dhe më datë 20 tetor Tirana ka pasur 85 mijë ton mbeturina të akumuluara në vite. Kjo është ajo që ka të bëjë me 300 ditshin. Kanë kaluar 201 ditë dhe kemi arritur në 21 mijë ton. Kemi akoma 99 ditë për të mos pasur më pirgje me plehra të akumuluara. Për sa i përket çështjes e një qyteti të pastër është një pjesë e punës që ka të bëjë me planin strategjik që luajnë rol edhe faktorë të tjerë. Ndërmarrja e punëtorëve pastron rreth 300 ton mbetje në ditë, ndërkohë që më parë pastroheshin rreth 3-4 mijë ton në muaj”,tha Rama.