Fatos Nano është një prej figurave politike të rëndësishme në vendin tonë. Ai është dekretuar si kryeministër i Shqipërisë 4 herë duke filluar nga viti 1991. Herën e fundit ai u bë kryeministër i vendit pas dorëheqjes së Pandeli Majkos nga ky post. Në javën e parë të punës së tij si kryeministër, Fatos Nano ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më 08 Gusht 2002.

“Ardhja ime në pushtet si kryeministër nuk besoj se ishte një e papritur e pakëndshme. Opsioni i kandidimit tim për president ishte një nga instrumentet kryesore të mazhorancës për të diskriminuar procesin politik të zgjedhjes së presidentit. Kandidimi im si kryetar i mazhorancës për president ishte instrumenti kryesor që bëri të mundur që unë të drejtoja delegacionin e mazhorancës për negociata me opozitën duke pasur përballë Berishën.

E gjithë kjo për të arritur në një zgjidhje funksionale që besoj ka qetësuar edhe publikun, i cili pret produkte. Unë drejtoj një qeveri që ka brenda dy nga kryeministrat e kaluar, Metën dhe Majkon, të cilët janë harmonizuar natyrshëm me kryetarin e partisë që drejton ekzekutivin, në funksione të spikatura të kësaj qeverie. Unë nuk hezitoj të shikoj defektet personale. Kam dhënë prova për korrigjimet e defekteve për të cilat jam dënuar padrejtësisht dhe mund të kisha dalë hakmarrës nga burgu, por nuk u shfaqa si i tillë.

Korrigjova një defekt tradicional të një shoqërie në emancipim, hakmarrjen. Hakmarrja politike është shumë e hidhur dhe nga kjo pikëpamje nuk mund të vlerësoj që vendimmarrja është një defekt personal. Unë kam marrë vendime shumë të rëndësishme politike në jetën time. Madje kam shkuar me këmbët e mia në burg për t’u bërë simbol i rezistencës dhe degradimit gjysmë demokratik të Berishës në atë kohë. Këtë e kam bërë për stabilitet politik dhe procesit të bashkëpunimit. Qeveria ime do të jetë e përbërë nga një mori specialistësh me përvojë politike dhe administrative. Kam një staf të ngushtë jo më shumë se 10 veta në kryeministri”,

tha Nano.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012