Opinion– Genc Pollo dhe Gramoz Ruçi, dy personalitete të larta të dy partive më të mëdha në vend PD-së dhe PS-së ishin të ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu realizuar më 05 Dhjetor 1999.

Ruçi në atë periudhë mbante postin e kreut të Grupit Parlamentar dhe Sekretarit Kordinativ të PS dhe Pollo po ashtu mbante postin e kreut të Grupit Parlamentar dhe Nënkryetar i PD.

Të ftuarit diskutuan për problemet më të rëndësishme në vend dhe theksi kryesor u vu në paktin për rendin. Këtë pakt PD në atë kohë ia kishte paraqitur zyrtarisht qeverisë, por ende nuk kishte marrë përgjigje. Po ashtu gjatë emisionit u diskutua edhe për marrëdhëniet PD-PS.

“Mendoj se kriza në vend është evidente dhe ngjarjet e fundit në Vlorë që kanë të bëjnë me rendin publik e tregojnë këtë. Përderisa ka një dështim total nga kjo qeverisje për të kthyer rendin publik, atëherë qeveria ka dështuar në një nga detyrat thelbësore që është të garantojë sigurinë për qytetarët. Në këtë kuadër opozita mund të mbajë dy qëndrime, të jetë e tërhequr ose të vërë në dukje dështimet. Ka edhe një rol tjetër që opozita pavarësisht dështimit të qeverisë, për interesin e qytetarëve përpiqet të marrë përgjegjësi. Dy vjet ishin të mjaftueshme për këdo që të konstatojë që qeveria socialiste për shumë arsye ka dështuar. Kjo ka ardhur nga mënyra se si ka funksionuar Ministria e Brendshme, elementët që janë thithur në të etj. Ka dy javë që është dërguar letra dhe nuk ka një përgjigje zyrtare. Ka prononcime të veçanta nga eksponentë të ndryshëm socilalistë të cilët transmetojnë një lloj frike se ç’po na bën opozita”,tha Pollo.

“Në këtë rast diskutimi shikohet njëra anë e medaljes dhe identifikohen mangësitë nga Pollo. Shqetësime Shqipëria ka, por natyrshëm unë do doja të dëgjoja nga kolegu im se ku e lash dhe ku e kam vendin tim. PD e la Shqipërinë pa kufij dhe pa kufitarë, pa administratë, pa komisariat dhe polici, me krim sheshit në gjithë vendin. Gjatë këtij viti, qeverisja, pozita aktuale filloi të korrigjojë pasojat e një lufte të vërtetë. Strukturoi shtetin, ka një vit e gjysmë që funksionojnë normalisht komisariatet, policia, biblioteka, bashkitë etj. Situata nuk është e përsosur, por situata kontrollohet në të gjithë vendin. Sot nuk dëgjon më në çdo dritare të shtihet me kallashnikov. Bandat janë ndaluar ose nuk janë në Shqipëri. Të kërkosh pas një viti e gjysmë të ndodhin mrekulli nuk është një qëndrim realist. Se si e bëjnë këta ndryshe, u pa”,tha Ruçi.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012