Opinion– Pas dorëheqjes nga posti i Kryeministrit në vitin 2002, Ilir Meta ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion”,  më datë 14 Mars të vitit 2002. Gjatë intervistës, përballë gazetarit Blendi Fevziu, Meta tha se tensionet artificiale politike, të cilat i krijuan probleme vendit, kishin krijuar shqetësim edhe për të. I pyetur në lidhje me raportin e tij me politikanin Fatos Nano, ish-kryeministri i asaj kohe tha se ka qenë i sinqertë me të gjithë në Partinë Socialiste dhe se ky ishte avantazhi i tij.

“Nuk më kanë stresuar angazhimet si kryeministër, por natyrisht tensionet artificiale politike që u krijuan, të cilat i krijuan probleme vendit, krijonin shqetësim edhe për mua. Ditët e fundit unë po ashtu kam bërë të qartë se institucioni i Prokurorisë është i shenjtë për shtetin e së drejtës dhe meqenëse me veprimet dhe mosveprimet e tij e ka kompromentuar rëndë politikisht këtë institucion që duhet të jetë i depolitizuar duhet të largohet për t’ia lënë vendin një personaliteti me integritet. Prokurori duhet të jetë sa më larg ndikimeve politike dhe është përgjegjësi e Presidentit që të konsultohet me forcat parlamentare në mënyrë që të kemi një Prokuror për të zbatuar ligjin dhe të mos përfshihet në lojëra politike”.

“Unë kam qenë i hapur për të punuar me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve me të cilat qeveria është e detyruar të bashkëpunojë. Me Rakipin unë kam pasur një bashkëpunim normal deri në zgjedhjet e 24 Qershorit, por Prokuroria nuk i ka shfaqur problemet vetëm në muajt e fundit. Në këto 5 vite, Prokuroria është karakterizuar nga një paaftësi totale, nga një mungesë e theksuar profesionalizmi. Nuk kemi parë të ketë hapur asnjë çështje të rëndësishme. Unë mendoj se e kam ngritur zërin”.

“Për sa i përket heqjes së imunitetit tim, këtë e ka bërë më parë Berisha, ka dashur të më arrestojë Berisha para 10 vitesh, për ngjarjet e famshme të Poliçanit dhe jo vetëm që nuk e arriti, por pa dashur më ndihmoi për t’u bërë një figurë e njohur politike në vend. Për sa i përket çështjes së Priftit unë nuk mbaj përgjegjësi për askënd tjetër përveç vetes time. Por sulmet ndaj Priftit janë politike dhe kërcënime që të binte qeveria “Meta”.

“Dihet që këto ditë po bëhet një gjyq ndaj Sokol Koçiut, i cili ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Zotit Rakipi. Edhe shoferi juaj nesër mund të kapet me drogë, por për këtë nuk mund të mbash përgjegjësi ti. Ajo që është më e rënda është që e gjithë kjo është skenar për të implikuar njerëz që nuk kanë lidhje me këtë çështje. Është një përpjekje për të justifikuar akuzat. Gruaja ime nuk ka lidhje me këtë, unë jam i bindur sepse gjatë gjithë kohës që unë kam qenë kryeministër, ajo ka pasur shofer nga Garda e Republikës së Shqipërisë”.

“Me Nanon dhe me të gjithë në Partinë Socialiste kam qenë i sinqertë dhe ky është avantazhi im. Të gjithë e dinë që unë nëse bëj një marrëveshje me dikë e respektoj atë. Momenti i zgjedhjes së Presidentit është një moment që kërkon përgjegjësi maksimale të të gjitha forcave politike. Unë jam i bindur që ne do të zgjedhim një President të denjë, fjala e të cilit të dëgjohet dhe respektohet”, tha Meta. / tvklan.al