Pas një muaji të lodhshëm me debate dhe akuza, Ismail Kadare duket i qetë, por edhe më i ashpër se herët e tjera. Nga apartamenti i tij në Paris ai sqaron se gjithçka që po ndodh në Shqipëri më shumë se sa e shqetëson, e mbush me trishtim. Një trishtim për shpifjet, për akuzat e pabaza, për sajimet dhe gjithçka tjetër, të cilën e quan anën tonë më të keqe.

Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Kadare i jep përgjigje disa çështjeve që kanë dominuar shtypin javët e fundit dhe që kanë lidhje me të.

“Shkrimtarët mund të jenë në qendër të vëmendjes kur botojnë një libër, por që të jenë në vëmendje për këto marrëzira, fantazira, shpifje apo deformime nuk i pëlqen. Por unë nuk jam i paimunizuar lidhur me këto. E kam përcjellë edhe këtë herë, por kjo ka qenë më e pamoralshmja nga të gjitha. Në Shqipëri ka filluar të deformohet në mënyra të ndryshme hapja e dosjeve. Ajo që kam thënë unë është që duhet të hapen arkivat e fshehta, të dalë e vërteta. Një ndërgjegje kombëtare nuk mund të funksionojë duke mbajtur xhepat e errët. Asnjë shtet nuk mund ti fsheh, vetëm nëse është i përfshirë në të. Procesi nuk është kryer, Shqipëria është e fundit”, tha Kadare./tvklan.al  

I ftuar: Ismail Kadare, shkrimtar.