Intervista e Pandeli Majkos gjatë fushatës së vitit 2001

Intervista e Pandeli Majkos gjatë fushatës së vitit 2001

Autori: Blendi Fevziu

22:02 20/06/2001

Opinion– Politikani i njohur Pandeli Majko ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu më datë 20 Qershor të vitit 2001. Në atë periudhë Majko kandidonte si deputet në një zonë të Korçës. I pyetur se përse kishte zgjedhur një zonë periferike dhe jo kryeqytetin për të kandiduar, Majko tha se ndërtimi i një ujësjellësi apo rikonstuktrurimi i një shkolle në ato i jepte më shumë satisfaksion.

“Unë kandidoj në zonën e Malqit sepse këta njerëz më votuan mua në një kohë kur unë nuk njihesha shumë nga pikëpamja e politikës. Unë isha një nga kandidatët e PS dhe kaq, por me votën e këtyre njerëzve unë vajta në Parlament dhe u bëra edhe Kryeministër. Juve iu duket sikur në Tiranë është kualiteti më i lartë i politikës, por në fakt ka zona të Shqipërisë ku jetohet, por ka edhe nga ata ku luftohet për të jetuar. Mua më ka rënë në pjesë një zonë që ka vështirësitë e veta dhe në zonën e Gurabardh luftohet për të jetuar. Të ndërtosh një ujësjellës apo të rikonstuktosh një shkollë atje, për mua ngjall më shumë satisfaksion. Unë Tiranën e dua sepse është qyteti ku kam lindur dhe jam rritur, por mendoj që këndvështrimi që ai politikan që i largohet Tiranës shpreh një lloj dobësie më duket sikur nuk shkon. Ç’kuptim do të kishte sikur të mblidheshin në Tiranë të gjithë politikanët dhe të përplaseshin me njëri-tjetrin. Vërtetë mund të ishte një spektakël i bukur, por në fund fare një pjesë e tyre do të ishin skualifikuar dhe do kishim të bënim me disa probleme që ne jemi përpjekur t’i shmangim. Megjithëse çdo 4 vjet ripërtërihet 60-70% e deputetëve.

Politika po kërkon, ndoshta në mënyrë të padukshme të rezervojë disa momente, të cilat në fund të fundit si rezultat do të kenë një parlament me kualitetet më të mira. Në Tiranë mund të mbledhësh një miting me 1000 apo 2000 vetë dhe kaq, ndërsa në fshat vijnë të mblidhen të gjithë, edhe të PS edhe të PD dhe aty mund të dëgjosh një kualitet bisede dhe mund të ndihesh edhe më vështirë se në Parlament. Ju keni të drejtë kur thoni që PS është orientuar drejt jugut dhe kjo gjë duhet parë sepse mund të krijojë perceptimin që PD është parti e veriut dhe PS e jugut. Por duhet të dish që kamerat nuk po zbulojnë gjithçka që ne socialistët po bëjmë gjatë kësaj fushate. Sot ne kemi organizuar për herë të parë pas ‘90 një miting në komunën e Oroshit, në Mirditë. Ne jemi duke ndjekur një metodologji e cila ka të dukshme mitingjet e mëdha në qytete të mëdha, por në fakt kemi të bëjmë me një fushatë nëpër fshatra të cilat nuk i bëjmë kaq të dukshme siç i bën doktori”, tha Majko.  / tvklan.al




Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

22:02 20/06/2001


Grupi