Opinion-Pandeli Majko është një prej figurave kryesore politike në Shqipëri. Më datë 07 Shkurt 2002 pas dekretimin për herë të dytë në detyrën e kryeministrit, Majko ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

I pyetur nëse rikthimi në detyrën e kryeministrit mund të quhet ringritje, kryeministri i asaj kohe tha se ringritja nuk lidhet me marrje apo dhënie postesh. Majko gjithashtu tha se po nuk riskove, tregon që nuk ke interes të merresh me politikë.

“Unë mendoj se ringritja i takon vetë individit, nuk dua të bëj teori të gjata, por nuk mendoj se ringritja lidhet me marrje apo dhënie postesh. Ringritja lidhet me vetveten. Në pozitën e Ministrit të Mbrojtjes unë isha shumë komfort, po më ecte puna mirë, por me rrjedhimet e paparashikuara që po ndodhin, unë pranova të marr postin e kryeministrit, pavarësisht krizës në PS. Në fund të fundit, po nuk riskove në politikë tregon që nuk ke interes të merresh me politikë. Çdo kryeministër ka disa problematika dhe detyra për të përballuar. Qeveritë brenda tyre le të themi që nuk kanë parime të mëdha, shpesh je i detyruar të lëvizësh mes problematikash personale të politikanëve dhe ky është problemi më i madh në krijimin e një qeverie. Do të më dukej e tepruar të deklaroja që jam kryeministër konsensusi dhe që gëzoj përkrahjen e të tjerëve. Do të ishte iluzive nëse një ish-kryeministër do të deklaronte se në momentin që ai është zgjedhur ka qenë kryeministër i mirëpritur nga të gjithë. E rëndësishme për një kryeministër është të krijojë një ekip që të ketë konsensus dhe të garantojë realizimin e reformave. Unë si kryeministër nuk kam ofruar veten si çelësi për të zgjedhur gjithçka në PS, unë ofrova një predispozicion me një qëllim: “Krijimin e një ekipi që do të vijojë rrugën e reformave”. Dhe për këtë kam pasur mirëkuptimin e të gjithëve”, tha Majko.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012