Mbrëmjen finale të spektaklit të kërcimit “Dance With Me”, e ftuar speciale ishte një prej prezantueseve më të famshme italiane. Prania e Paola Peregos në këtë produksion të Televizionit Klan, krah Alketa Vejsiut, e bëri edhe më të veçantë këtë mbrëmje, por jo vetëm. Të shumta janë mediat italiane, të cilat i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë jo vetëm prezantueses së tyre Perego, por të gjithë spektaklit, Alketa Vejsiut e Televizionit Klan.

“Dance With Me Albania 5, Paola Perego super e ftuara e finales së programit

“, është ky titulli me të cilin media si zazoom.it, tvblog dhe gliformati.it kanë zgjedhur për ta përcjellë lajmin.

Zazoom.it shkruan:

“Paola Perego ishte e ftuara e nderit në finalen e Dance With Me Albania 5, formati i kërcimit, patentë e Endemol, e mbërritur në tokën shqiptare në edicionin e saj të pestë, që u mbyll këtë mbrëmje drejtpërdrejt nga Tirana, në kanalin televiziv Tv Klan. Lajmi vjen thuajse në mënyrë të papritur, nëpërmjet rrjeteve sociale. Është vetë Paola Perego, e cila ripostoi në Instagram Story disa video të xhiruara nga prezantuesja e programit, Alketa Vejsiu. Gjithnjë nëpërmjet Instagram, zbulojmë gjithashtu se Paola Perego është ftuar, pikërisht sepse është shumë e dashur për të gjithë popullin shqiptar. Është i vetëm dy ditëve më parë njoftimi zyrtar i dhënë nga profili në Instagram i programit: Pasi e kemi dëgjuar të flasë disa herë për afeksionin që ka për vendin tonë, dëshironim ta ftonim në finalen e programit tonë. Paola Perego do të jetë e ftuara e nderit në finalen e Dance With Me”.

Të tjera media nuk lenë pa përmendur edhe prezencën e balerinit shqiptar me famë ndërkombëtare, Kledi Kadiu, i cili këtë edicion të pestë të spektaklit të kërcimit ishte pjesë e panelit të jurisë.

“E mbani mend Kledi Kadiun, shqiptarin më të famshëm të televizioneve italiane? I mbërritur në Itali në 1991-n, në eksodin e parë historik (biblik) nga Adriatiku, në vitet 2000 u shndërrua në star-in e balerinëve të Amici, të Maria De Filippi, idhull i mijëra telespektatorëve të rinj. Pasi u rikthye në pozicionin e profesorit të reality-t të Canale 5, nga 2016-ta është zhdukur nga televizorët e shtëpive tona. Ku ka përfunduar? Është rikthyer në shtëpi dhe është protagonist absolut në “Dance With Me”, versioni lokal i “Ballando con le stelle”, që drejtohet nga bukuroshja Alketa Vejsiu. Në puntatën e fundit performoi gjithashtu në një numër baleti, me të ftuarën speciale të mbrëmjes, Paola Perego”.

Duke vlerësuar prezantimin e Alketa Vejsiut, ashtu sikurse produksionin e “Dance With Me”, shumë media italiane i kanë kushtuar vëmendje edhe intervistës së Peregos dhe vlerësimit të saj për koleget italiane.

Corriere della Sera, Il Fatto Quotidiano, il Giornale, tvfanpage.it, Zv Noticie

etj, nuk lenë pa përmendur në shkrimet e tyre komentin e Peregos për Michelle Hunziker e Maria de Filippi.

“Paola Perego pritet si një divë e madhe në televizionin shqiptar, komenton koleget: Michelle Hunziker? Është e ftohtë si akullore”

, shkruan e përditshmja italiane Il Fatto Quotidiano.

“Prezantuesja Alketa Vejsiu e prezantoi (me një italishte të shkëlqyer) Paolan si një divë të vërtetë dhe i kërkoi mendim për koleget e saj italiane, Maria de Filipi, Barbara d’Urso, Michelle Hunziker, Raffaella Carra e Mara Venier. Paola u tregua bujare me të gjitha, pothuajse…”,

shkruajnë më tej mediat italiane.

Vlerësimet maksimale shkojnë edhe për Alketa Vejsiun, të cilën e cilësojnë të bukur si kukull Barbie:

“Prezantuesja shqiptare Alketa Vejsiu është e mrekullueshme. E bukur si Barbie, ajo e njeh italishten në perfeksion. Autorë të tv, ftojeni për një reality, apo për diçka tjetër. Do t’ju japë satisfaksion”.

Mbrëmjen e 17 Dhjetorit, në finalen e madhe të “Dance With Me”, Paola Perego dhuroi emocione të veçanta në ekranin e Televizionit Klan. Prezantuesja e famshme shprehu vlerësimet maksimale për popullin shqiptar. Ajo u shpreh ndër të tjera se shqiptarët e italianët janë njësoj, kanë të njëjtën kulturë dhe janë i njëjti popull. Kjo ishte hera dytë që Paola Perego vinte në Shqipëri, ndërsa prezantuesja Alketa Vejsiu la të kuptohej se kjo nuk do të ishte hera e fundit e saj në vendin tonë.

/tvklan.al