Partia Socialiste e cila si forca kryesore e maxhorancës qeverisëse në vend më 1999 për shkak të disa problemeve çoi në ndryshimin e qeverisë. Dorëheqja e kryeministrit Pandeli Majko dhe rikthimi në krye të PS i Fatos Nanos solli në krye të qeverisë Ilir Metën.

Si kryeministri më i ri në moshë në Europë në atë kohë ai i ftuar në emisionin “E diela debat” me drejtues Blendi Fevziun, Meta tha se prioriteti i qeverisë së tij ishte problemi i energjisë pasi rendi sipas tij kishte përmirësime.

Televizioni Klan sjellë intervistën eksluzive të kryeministrit të asaj kohe, i cili gjatë emisionit flet edhe për marrëdhëniet e tij me Berishën dhe Nanon.

INTERVISTA E ILIR METES

Blendi Fevziu: Të nderuar teleshikues mirëmbrëma, ju flas nga studio e Tv Klan ku sot ka mbërritur për të parin prononcim publik si kryeministër i Shqipërisë Zoti Ilir Meta. Mirëmbrëma Zoti Meta dhe mirë se edhët.

Ilir Meta: Mirëmbrëma.

Blendi Fevziu: Një i njohur i vjetër i Televizionit Klan vjen për herë të tretë në këtë transmetim, por ashtu sikurse e thash kjo është hera e parë si kryeministër i Shqipërisë. Ai ka ardhur të prononcohet për disa nga problemet më eminente të qeverisë. Probleme që kanë lindur jo vetëm në këto tre javë të qeverisjes së Zotit Meta, por natyrisht janë trashëguar edhe nga qeverisja e mëparshme. Në këtë bisedë të sotme, unë besoj se duke patur edhe konsensusin e Zotit Meta do ta filloj me disa probleme brenda Partisë Socialiste, e cila si forca kryesore e maxhorancës qeverisëse në vend ka patur disa probleme që kanë çuar në ndryshimin e qeverisë. Për të mos u zgjatur në hyrje të mëtejshme, unë besoj se biseda jonë do të jetë e hapur dhe konkrete. Zoti Meta po filloj direkt me pyetjet. Ju u bëtë kryeministër direkt pas fitores së zotit Nano në Kongresin e Partisë Socialiste. Ndërkohë ju keni qenë një kundërshtar i Nanos në vitin 1996, kujtoj këtu fushatën kur ju keni mbështetur Zotin Majko. Duke qenë vazhdimisht një kundërshtar i Nanos dhe tashmë një mbështetës i tij, a ka një kontradiktë këtu?

Ilir Meta: Meqenëse ju i premtuat teleshikuesve se do të jemi konkretë, atëherë unë nuk po zgjatem shumë në historia, por po iu them shkurt që nuk jam kundërshtar apo aleat i përhershëm i një personi. Kam disa koncepte të miat shumë të qarta për Partinë Socialiste, për shoqërinë shqiptare, për politikën e ndryshimeve dhe nëse këto përputhen me kërkesat jam aleat me të, nëse nuk përputhen jam kundërshtar me të. Po t’iu bëja një shpjegim më të gjatë do të shihni që kam qenë kundërshtar dhe aleat me disa persona të ndryshëm. Pra marrëdhëniet nuk janë personale, janë politike, përputhen me konceptet e mia dhe të Partisë Socialiste, si dhe të të majtë europiane ku ne bëjmë pjesë.

Blendi Fevziu: Megjithatë Zoti Meta, përpara kongresit ju keni deklaruar përpara kamerave të Tv Klan se nëse Nano fiton do të largoheshit nga funksionet tuaja qeveritare. A është ky një kthim pas i deklarimeve tuaja?

Ilir Meta: Mendoj se ky është një reflektin pas situatës së krijuar pas kongresit. Përpara kongresit ka patur deklarata të tepruara edhe nga Nano edhe nga ne që nuk ishim me Nanon. Por siç ndodh në fushata, ka deklarata të tepruara, ishte hera e parë që u bë një fushatë e tillë dhe ishim të pamësuar. Por natyrisht situata pas kongresit impononte një zgjidhje politike dhe në kuadrin e kësaj zgjidhje unë pranova realitetin e ri politik. Një politikan duhet të jetë konseguent edhe racional.

Blendi Fevziu: Zoti kryeministër, a mendoni se duke qenë kështu i pozicionuar në zgjedhjet për ekzekutivin, Zoti Nano ju ka përdorur ju për të shmangur nga ekzekutivi Zotin Majko?

Ilir Meta: Së pari unë mendoj se zgjidhja e kreut të Partisë Socialiste qe rezultati i pozicionimeve që u mbajtën përpara kongresit. Ato impononin një formulë të re.

Së dyti vazhdimisht në periudhën përpara kongresit ka qenë diskutim nëse do të unifikoheshin posti i kryetarit me atë të kryeministrit. Ne kishim një përvojë si forcë politike e cila ishte në favor të ndarjes. Por njëkohësisht ne kishim edhe situata brenda PS ku ndarja shihej si moment dobësimi të qeverisë. Unë personalisht isha pro që të ndaheshin. I kam kërkuar Zotit Majko dhe të tjerëve që kanë përkrahur Majkon dhe mua mundësinë që të kandidoja për kreun e PS duke mos patur më postin e Zv. kryeministrit për të ecur në linjën e ndarjes së funksioneve në mënyrë që Zoti Nano të kishte më pak mundësi. Nuk gjeta mirëkuptim dhe nuk insistova sepse nuk e pashë të arsyeshme. Mendova se fitorja e Zotit Majko si kryetar partie do të ndihmonte në ruajtjen e stabilitetit të qeverisjes dhe nuk do të ishte një hap pas. Zhvillimet nuk janë gjithmonë siç dëshirohen, politika ka të papriturat e veta të cilat nuk janë thjeshtë të papritura por duhet të analizohen dhe cilido duhet të reflektojë. Kështuqë unë iu binda një realiteti të ri, jo me dëshirën për t’u bërë kryeministër, por me mendimin e mirë se kjo do t’i shërbente stabilitetit të PS.

Blendi Fevziu: Ju folët për raportin që keni patur me kryetarin e PS, Zotin Nano, por në këtë zgjedhje që keni bërë për të kaluar nga zyra e zv. kryeministrit në atë të kryeministrit a ndiheni moralisht borxhli ndaj Zotit Majko?

Ilir Meta: Unë nuk ndihem borxhli moralisht as ndaj Nanos, as ndaj Majkos, as ndaj Pëllumbit, as ndaj Ruçit, as ndaj Dokles dhe askujt tjetër nga ana personale. Natyra ime është natyrë mjaft e hapur. Unë i them ato që pëlqej dhe ato që nuk pëlqej njerëzve me të cilët bashkëpunoj. Gjatë kohës që kemi punuar me Zotin Majko kemi bërë gjëra shumë të mira dhe kemi bërë gjithçka për të kaluar mirë dhe për të forcuar qeverisjen në momentet. Kemi kaluar një krizë shumë të madhe për shkak të problemeve të brendshme partiake. Pasi unë u zgjodha kryeministër e kam ftuar Zotin Majko që të jetë në qeverinë e re dhe ai nuk e ka parë të arsyeshme. Ajo që unë kam thënë është se Zoti Majko nuk ka dështuar në kuptimin që largimi i tij është si rezultat i rrethanave, i zhvillimeve politike dhe demokratike brenda partisë dhe nuk ka dështuar në bërjen e reformave. Mendoj se është shumë e rëndësishme kjo edhe për të ardhmen e tij politike.

Blendi Fevziu: Në rast të ofrimit të kushteve të tjera, a mund t’i ofronit një post në kabinetin tuaj Zotit Majko?

Ilir Meta: Unë aktualisht nuk kam ndërmend të bëj ndryshime në kabinet dhe e dyta ajo që dua të bëj të qartë nëpërmjetë jush është që për një politikan nuk është e rëndësishme është kryeministër, ministër apo sekretar partie, por që të jetë gjithmonë i dobishëm. Një politikan nuk duhet të vlerësohet nga posti që ai ka sepse postet në demokraci janë të përkohshme, por duhet të vlerësohet nga aktiviteti politik.

Blendi Fevziu: Ju keni krijuar një qeveri të kompromisit të ekujlibrave të brendshëm të PS. Pyetja ime është shumë konkrete dhe shpresoj të mar një përgjigje të tillë. A ju ka ndikuar Nano dhe a ju ka diktuar emra të veçantë në qeveri apo struktura të tjera?

Ilir Meta: Përsa i takon marrëdhenieve të mia me Zotin Nano në planin institucional ato janë mjaft të mira, por edhe në planin personal janë përmirësuar ndjeshëm. Kam patur një bashkëpunim të qëndrueshëm, por unë kam vënë re që ai është mjaft i hapur dhe nuk vë kushte, këtë dua ta theksoj sepse e shikoj që ka tendenca për t’më paraqitur mua si viktimë dhe si nën presionin e Nanos, gjë që nuk është e vërtetë. Po ta veshë re qeverinë e kam ndryshuar shumë pak në krahasim me atë të Zotit Majko dhe tërë ata element të rinj që janë në qeveri janë për shkak të aftësive të tyre. Nuk mund të pranoj të më vihen kushte nga askush për të emëruar ministra apo në poste të tjera njerëz që nuk mund ta bëjnë atë punë, njërëz të cilët nuk ecin në linjën e drejtimit të qeverisë që kam marë përsipër unë dhe që nuk janë në gjendje t’i përgjigjen ritmeve të programit të qeverisë.

Blendi Fevziu: Zoti Meta ju pak më parë u shprehët se ka ndryshuar shumë pak kjo qeveri nga qeveria Majko,  thënë me fjalë të tjera një gazetë e opozitës është shprehur se kjo është qeveria Majko pa Majkon. Pra duke marë parasysh gjithë këto kritika, çfarë modeli të ndryshëm keni ju si kryeministër nga ajo që ka ndjekur Majko? Cili është modeli juaj i qeverisjes?

Ilir Meta: Së pari dua të thejksoj se kjo u konceptua si qeveri vazhdimësie jo thjesht në kuptimin fizik të kabinetit, por në kuptimin e detyrimeve programore që Aleanca për Shtetin kishte marë përapa parlamentit, publikut dhe ndërkombëtarëve të cilat duhet të vazhdonin. Ndërsa përsa i takon funksionimit të qeverisë unë mendoj dhe modeli i drejtimit tim është i qartë, është i një drejtimi institucional dhe personalizimit të institucioneve sepse kjo sjellë konflikteve dhe është kosto e panevojshme. Ndërsa linja institucionale që unë tashmë kam filluar dhe që është e vetmja linjë që siguron efektivitet dhe mbron institucionet nga drejtuesit. Tjetra është se synoj qeverisje të rezultateve dhe efiçencë maksimale. Marrëdhëniet e mia me drejtuesit do të jenë të ndërtuara vetëm mbi bazë të rezultateve. Secili ka programin e tij dhe secili do të përgjigjet sëbashku me mua çdo ditë, javë, muaj për realizimin e programeve. Të gjithë duhet ta kuptojnë se ministritë apo institucionet nuk janë kështjella personale dhe besoj kanë filluar ta kuptojnë.

Blendi Fevziu: Zoti Meta ju menjëherë pasi jeni zgjedhur kryeministër keni bërë dy takime zyrtare me presidentin e Republikës dhe me drejtuesit e PS. Këto takime kanë qenë më tepër për të dhënë idenë e ndryshimit, kanë qenë një show, apo diçka më konkrete. Sepse në fund të fundit kryeministri mund t’i takojë drejtuesit e PS çdo ditë pa patur nevojë për të bërë takim zyrtar me ta.

Ilir Meta: Unë nuk jam politikan i show-t, besoj ta fillojmë si politikan i rezultateve dhe veprimit. Takimet që kam kryer kanë synuar të japin disa mesazhe. Së pari unë sapo mora votëbesimin nuk harrova se u emërova nga PS e cila është forca kryesore e qeverisjes së vendit. Unë vajta atje për t’iu shprehur falënderimet dhe për t’iu bërë të qartë se jam i hapur që PS të kontrollojë qeverinë që unë drejtoj dhe  programin e saj çdo ditë sepse një dështim i imi është edhe dështim i PS dhe një sukses i imi është edhe i PS. PS nuk ka përse të dështojë për shkak të një personi, qoftë ai kryeministër apo ministër. Ky takim ishte po ashtu për t’i dhënë mesazhin presidentin dhe institucioneve të tjera se ajo që unë synoj është bashkërendimi i institucioneve dhe jo konflikti mes tyre. Ajo që unë kam thënë se do t’i qëndroj besnik kushtetutës së Shqipërisë do të jetë një e vërtetë.

Blendi Fevziu: Ju pak më parë thatë se një sukses i juaji është edhe i Partisë socialiste dhe ia keni bërë këtë mëse të qartë këtë drejtuesve të kësaj partie. Në të vërtetë për t’u zgjedhur kryeministër ju keni nevojë për vota. Disa goditje që keni bërë kohët e fundit ndaj njerëzve që ju kanë mbështetur ju në rang ministrash dhe drejtorësh, a mendoni se do të ngushtohen mbështetësit tuaj në Partinë Socialiste. Nuk mendoni se po rrezikoni dhe në një të ardhme jo të largët nuk do të keni më vota?

Ilir Meta: Së pari unë nuk synoj të godas njeri në plan personal, por unë do të kërkoj veprimin e ligjit në çdo rast dhe për cilindo që unë përgjigjem. Të gjithë duhet ta kuptojmë që me përgjegjësitë publike nuk bëhet më shaka dhe nuk mund të privatizohen funksionet. Përsa i takon personave, një pjesë e tyre janë vërtetë miqtw e mi, por mendoj se cilido që mund të jetë vënë në një pozicion për shkak të PS apo ndonjë partie tjetër të koalicionit do të qëndrojnë në atë pozicion në bazë të rezultateve ku ai drejton. PS i ka dalë borxhit të gjithë këtyre, bashkë me mua që sot jemi në këto funksione duke na besuar detyra të rëndësishme dhe në rast se ne nuk i përgjigjemi me të njëjtin seriozitet që të realizojmë programin e PS dhe të ruajmë imazhin që ka dhe duhet të ketë PS. Atëherë asnjë nga ne nuk ka përse të qëndrojë në këto detyra, unë kam këtë parim, më mirë të largohen një, dy apo tre ministra apo zv.ministra se sa PS të marë 100.000 apo 200.000 vota më pak. Kështuqë është më mirë që të sakrifikojmë disa që nuk mendojnë as për veten e tyre, sesa të sakrifikohet një forcë politike, PS është në shtet dhe nuk mund të sakrifikohet dhe shteti.

Blendi Fevziu: Të gjithë paraardhësit tuaj që kanë qenë në këtë studio kanë deklaruar se do të kërkojnë zbatimin e ligjit gjë që kërkuat dhe ju. Konkretisht a mund të ketë ndonjë ndryshim sepse deklarata të tilla mbeten në kuadrin propagandistik.

Ilir Meta: Unë mendoj se ne që në javët e para ne kemi filluar të japim sinjalet e ndryshimeve dhe jam i bindur që do të konsolidohet politika e ndryshimeve. Unë sot kam qenë tek Kontrolli i Lartë i Shtetit i cili është institucioni që varet nga parlamenti dhe që vërteton papërgjegjshmëritë dhe abuzimet e të gjithëve. Pavarsisht se kemi patur disa probleme deri tani që drejtuesit kanë patur me Kontrollin e Lartë të Shtetit të cilat kanë të bëjnë me mungesën e rezultateve në fushat përkatëse. Nuk mjafton që të jeshë drejtues të jesh vetë i ndershëm dhe i pakorruptuar, por i gjithë institucioni të jetë i tillë.

Blendi Fevziu: Meqenëse përmendët vizitën tuaj tek Kontrolli i Lartë i Shtetit, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Parlament rreth 3 javë më parë ka lexuar një raport mjaft të ashpër i cili implikon drejtues të lartë të shtetit dhe kabinetit, pyetja ime është a do të ketë masa konkrete ndaj këtyre njerëzve? A do të kalojnë përpara përgjegjësisë ligjore apo një njeri që mund të ketë shkaktuar dëme të mëdha thjeshtë largohet nga puna?

Ilir Meta: Masat kanë filluar dhe disa nga ato ju i përmendët. Tani bëhet fjalë për masa më të plota, sa më serioze për të bërë të qartë që qeveria Meta nuk heq 2-3 veta nga puna, por do ta luftojë korrupsionin kudo që e shikon. Ne nuk do të bëjmë sikur nuk e shikojmë dhe nuk do të bëjmë sikur na dhimbset dikush kur shkrel ligjin. Në rastin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, drejtuesit e tij kanë të drejtë që kanë konstatuar një mungesë reflektimi nga qeveria e mëparshme. Unë kam vepruar këto ditë ndaj disave, por takimi i sotëm i shërben pikërisht kësaj. Ne nuk synojmë t’i bëjmë keq njeriu, por gjithçka do të bëhet me baza të plota, kur dhunohen ligjet e shtetit mund të shkosh edhe në burg.

Blendi Fevziu: Gjatë takimit që ju keni patur me presidentin Amerikan ai është shprehur se ju jeni kryeministri më i ri në Europë, jeni vetëm 30 vjeç. Puna juaj natyrisht do të mbështetet shumë tek stafi që ju keni zgjedhur ose që do të zgjidhni. Ky staf mbi ç’kritere është zgjedhur Zoti Meta?  Duket sikur përfshihen teknicienët më të mirë të komunizmit dhe publicistët më rebelë të tranzicionit. A mendoni se ky staf mund t’iu këshillojë?

Ilir Meta: Unë nuk dua të krenohem se qenkam kryeministri më i ri në europë dhe nuk dua të vlerësohem nga mosha në detyrën e kryeministrit. Unë jam kryeministër i Shqipërisë dhe duhet të gjykohem nga ajo që bën një kryeministër. Përsa i takon problemit të stafit që është një element shumë i rëndësishëm për krijimin e tij unë kam patur kriter profesionalizmin dhe nuk jam menduar shumë nëse dikush ka punuar me Enver Hoxhën apo me Sali Berishën. Për mua është i rëndësishmë profesionalizmi në shtet dhe unë do të eci me këtë koncept.

Blendi Fevziu: Keni besim se mund të mbështeteni tek ky staf Zoti Meta?

Ilir Meta: Unë kam shumë besim tek ky staf, një pjesë e tyre janë nga stafi i mëparshëm, janë personalitete mjaft të njohur, një pjesë tjetër janë të rinj. Mendoj se tashmë zyra e kryeministrit po funksionon normalisht.

Blendi Fevziu: PD në një sërë deklaratash por edhe në prononcime publike është shprehur se është shumë e vështirë që një program i cili ka dështuar gjatë kohës që keni qenë zv. kryeministër të zhduket, a shihni edhe ju një kontradiktë tuajën?

Ilir Meta: Më shumë se sa rezultat i një logjike këtë e shijoj si rezultat të një paragjykimi. E shikoj si rezultat për të gjetur një pretekst për t’iu bashkuar një ftese mjaft të ndershme për një problem mjaft të rëndësishëm që nuk është vetëm detyrë e jona, por e të gjithve që të krijojmë një klimë tjetër ndaj shtetit dhe institucioneve dhe jo abuzim. Ajo që dëshiroj të theksoj është vetë marja e këtij komisioni nga ana ime dhe tani në detyrën e kryeministrit është rezultat i asaj që unë ndjej për të realizuar këtë prioritet antikorrupsion. Unë jam i bindur që do të ketë rezultate sepse unë jam i hapur dhe do të dimë të bashkëpunojmë me të gjithë institucionet shumë më mirë se sa deri më sot. Këtu ka nevojë për shembuj dhe goditje konkrete të cilat kanë filluar në bazë të evidencave të qarta. Dua t’iu kujtoj se nuk ka korrupsion vetëm në administratën qendrore, por edhe në administratën lokale. Unë e di pse qytetarët shajnë qeverinë Meta kur bie shi dhe rrugët shëndërrohen në liqene, por ata duhet ta kuptojnë që janë në ndërmarrjet e bashkisë që është në maxhorancë nga PD dhe çdo pushtet do të bëjë detyrën e vet. Është mirë që PD të vijë dhe të luftojmë korrupsionin në administratën qendrore, lokale apo kudo që ndodhet sepse korrupsioni nuk ka ngjyrë. Përsa i përket asaj që unë kam qenë zv.kryeministër dhe tani jam kryeministër mund të them që ka një ndryshim të madh. Zv.kryeministri pavarësisht nga zotësia politike që ka nuk ka të drejtë të firmosë as për sekretarin e tij, ndërsa kryeministri ka të gjitha përgjegjësitë mbi vete për të vepruar dhe për të larguar edhe ministra nëse nuk janë të përgjegjshëm. Unë jam i vendosur të eci në këtë drejtim. Ka një spekulim shumë të madh nga PD që kur Aleanca për Shtetin solli korrupsionin për shtetin. Aleanca për Shtetin pati kurajën në ’98 t’i thotë po Bankës Boterore se do të bënte një studim se kush ishte niveli i korrupsionit.

Blendi Fevziu: Megjithatë komentet për korrupsionin sot janë shumë më të larta se ata të tre viteve më parë.

Ilir Meta: Komentet janë në nivele më të larta se jemi ne që po e luftojmë. Ka edhe një gjë tjetër që ka shumë prokurorë dhe ministra të cilët për t’u bërë të rëndësishëm fillojnë dhe flasin pa patur asnjë evidencë.

Blendi Fevziu: Megjithatë edhe ky është një handikap i shtetit.

Ilir Meta: Ky është një handikap i të gjithëve dhe ne duhet të jemi në gjendje të bashkëpunojmë me Prokurorinë, me Kontrollin e Lartë të Shtetit, me Shërbimin Informativ dhe gjithë institucionet e tjera. Në rast se ka një qeveritar të korruptuar, nuk do të thotë që e gjithë qeveria është e korruptuar. Bashkëpunimi institucional do të bëjë që gjithsecili të bëjë detyrat e veta.

Blendi Fevziu: Të gjithë kryeministrat që vijnw janë të prerë me deklaratat e tyre, por duket sikur nuk keni llogaritur një gjë, reagimin e opozitës që do të jetë shumë më i madh nga koha kur ju ishit zv.kryeministër. Nëse ju gjetët një kompromis gjatë kohës që ishit zv.kryeministër, aktualisht opozita ka deklaruar se do të jetë e ashpër ndaj jush për arsye të kthimit të Nanos dhe kompromisit tuaj me të. A keni frikë që opozita do të dalë dhe do të manifestojë në rrugë kundër jush ose kur të sabotojë një pjesë të nismave tuaja?

Ilir Meta: Unë shikoj vetëm një pengesë në suksesin e kësaj qeverie dhe kjo pengesë është rënia e këtij vullneti kaq të madh që ne kemi aktualisht. Por ne jo vetëm që do ta ruajmë këtë vullnet po do ta forcojmë edhe më tej sepse opozita nuk po paraqet asnjë alternativë dhe para BE Berisha del dhe thotë se është i izoluar si asnjë në botë. Mendoj se ka kriza individuale brenda PD. Qeveria është e hapur për të bashkëpunuar me opozitën, por e kam thënë dhe e deklaroj se me qeverinë nuk mund të tallet askush. Nëse ata duan dialog dhe të zgjidhen problemet që ka shteti ne jemi të hapur për bashkëpunim. Të mos presin që qeveria të marë kompetencat e parlamentit sepse ata janë vetë në parlament. Qeveria mendon se drejtimi i vendit nuk është monopol vetëm i qeverisë, ajo ka përgjegjësi afatshkurtra dhe afatgjata. Ne jemi të bindur që qeveritë janë të përkohshme, por ne nuk do të punojmë si të përkohshëm sepse ky është shërbimi më i mirë që ne i bëjmë vendit. Ne duhet të mendojmë si t’i normalizojmë këto probleme, por edhe të vëmë zgjedhje afatgjata duke i bërë një shërbim sa më të mirë vendit dhe për këtë do të kërkoja bashkëpunimin e opozitës. Nëse ata janë të hapur janë të mirëpritur, nëse jo na vjen keq. Ajo që dua të them në mënyrë më praktike është që trenit drejt europës që tashmë është nisur ne do t’ia rrisim shpejtësinë dhe jo t’ia ndalojmë, vendi nuk mund të presë tekat e cilitdo qofshin politikanë të maxjorancës apo të opozitës. Ftesa është e hapur dhe debati të bëhet i hapur, do të jete transparenca e qeverisë ajo që do të heqë çfarëdolloj spekulimi të opozitës.

Blendi Fevziu: Ju bëtë takimin e parë si kryeministër në selinë e PS, a do të shkonit në selinë e PD për një takim?

Ilir Meta: Deklarimi im është shumë institucional. Nëse kryetari i PD, Zoti Berisha vjen tek zyra e kryeministrit të Shqipërisë mendoj se ky i fundit nuk do të ketë paragjykimin që takimin e dytë ta zhvillojë tek selia e PD. Unë nuk kam asnjë kompleks, jam gati të bisedoj edhe me PD, në parlament, nëse do takim të veçantë e sqaroj për programinin e qeverisë, nëse do tek selia e PD, por këtë mund ta bëj vetëm në rast se Zoti Berisha dhe PD vjen tek zyra e kryeministrit të Shqipërisë dhe jo tek zyra ime sepse ajo nuk është zyra ime.

Blendi Fevziu: Meqenëse shkuat tek PS, a mund ta bënit edhe këtë para edhe tek PD? Të ishit ju i pari që të shkonit atje.

Ilir Meta: PD ka mbajtur një qëndrim të papërgjegjshëm zyrtar edhe pse pati deputetë të përgjëgjshëm të cilët edhe pse kritikuan ashpër qeverinë, unë i vlerësoj për atë që treguan respekt ndaj institucioneve. Kështu që duhet ata të ndryshojnë qëndrim, jo që të mbështesin qeverinë sepse në raste të veçanta mund të ndodhë, por të kenë respekt ndaj institucioneve. Në rast se do ta bëjnë këtë unë nuk kam asnjë kundërshtim të shkoj edhe me këshillin kombëtar në selinë e PD  dhe t’i sqaroj se si mendon qeveria dhe problemet që mund t’i shqetësojnë edhe ata dhe të marim në konsideratë sugjerime që ata mund të kenë.

Blendi Fevziu: Zoti Meta duke takuar disa nga ata që mund të quhen të moderuarit e PD ose thënë ndryshe kundërshtarë të Beishës, ju pak më parë thatë se ka kriza identiteti brenda opozitës. Duke i takuar këto edhe në ambiente publike a mund të përktheht kjo si diversion që keni dashur t’i bëni opozitës?

Ilir Meta: Absolutisht që nuk është diversion. Unë në radhë të parë respektoj institucionet. Berisha nuk është politikan i dialogut, i institucioneve apo mbajtjes së premtimeve, por ai është kryetar i PD dhe unë duke respektuar këtë besoj se respektoj PD e cila është forca kryesore e opozitës. Natyrisht që unë kam komunikim me shumë politikanë demokratë ashtu si edhe me shumë të tjerë dhe nuk dëshiroj të bëj asnjë lloj diversioni sepse nuk dua të përsëris historinë që ka bërë Berisha me PS.

Blendi Fevziu: Kam një bllok pyetjesh të shpejta të cilat kanë të bëjnë me problemet e qeverisjes, duke nisur nga problemi i dritave. Jemi të gjithë dëshmitarë që një pjesë e madhe e Shqipërisë është aktualisht në terr, diçka më mirë është Tirana. Me afate kohore, kur mund të rregullohet problemi i energjisë elektrike në gjithë Shqipërinë? A ka masa konkrete ose ndonjë program pilot për këtë?

Ilir Meta: Për mua si kryeministër problemi i energjisë është prioriteti numër një, nuk është rendi sepse ai ka përmirësim të ndjeshëm do të vazhdojë dhe ende është prioritet shumë i rëndësishëm për ne. Situata energjetike është e ndërlikuar për shumë arsye dhe ne asnjëherë nuk kemi folur hapur me publikun, të gjitha qeveritë, duke filluar që nga ’90. Asnjëherë nuk janë marë masa serioze afatgjata. Prej më shumë se 15 vjetësh vendi nuk ka krijuar burime energjetike ndërkohë që konsumi është rritur mjaft dhe ne jemi të detyruar të importojmë dhe përveç kësaj rrjeti është i amortizuar dhe i dëmtuar. Drejtori i KESH do të komunikojë me publikun shqiptar përmet Televizionit Publik. Ka edhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me keqmenaxhimin e KESH që nga ’90 deri tani. Janë blerë pa fund transormatorë dhe janë prishur pa fund jo pa shkak dhe pa qëllim.

Blendi Fevziu: A keni fakte që ka patur prishje me qëllim të transformatorëve?

Ilir Meta: Unë do t’i kërkoj prokurorisë që të hetojë për gjithçka ka ndodhur gjithë këto vite, për eksportimet e lira në verë dhe importimeve të pamenduara në dimër dhe shumë shtrenjt. Dhe shteti është vënë gjithmonë para faktit të kryer dhe jemi vënë gjithmonë kemi qenë të detyruar të bëjmë veprime në periudhat më kritike, kur ata mund të ishin bërë me kohë. Megjithatë dëshiroj të theksoj se qeveria është mjaft e angazhuar dhe nuk dëshiron ta lërë përgjegjësinë tek paraardhësit, por ka marë të gjitha përgjegjësitë për një normalizim sa më të mundshëm të situatës duke marë masa për rrjetin ,transformatorët  e dëmtuar. Përveç kësaj ne kemi marë masat për të ndryshuar mënyrën e menaxhimit të KESH-it që të mos jetë në këtë gjendje që është sot që importon dy herë më shtrenjt se sa e shet këtu dhe akoma më keq, faturon 60% të energjisë që shpërndanë dhe nga kjo nuk arkëtohet as gjysma e asaj. Përgjegjësi kemi ne pushtetarët, por edhe qytetarët e papërgjegjshëm të cilët ankohen për dritat dhe jo vetëm që nuk paguajnë, por edhe dëmtojnë edhe rrjetin me lidhjet që bëjnë. KESH përfundimisht do të jetë një institucion i njerëzve të përgjegjshëm dhe me dritat e njerëzve nuk mund të luhet më. Ne po punojmë me specialistë për një strategji me bazë afatgjatë. Do të fillojnë edhe investimet për krijimin e burimeve të reja energjetike. Situata nuk është aq dramatike sa e thatë ju. Ka probleme, por situata është në përgjithësi e normalizuar. Probleme më shumë ka në Korçë, por ne po punojmë me Greqinë dhe Maqedoninë dhe mendoj se kjo qeveri do të hedhë baza serioze të energjitikës dhe KESH-it. Nuk mund të ketë investime me këto burime energjetike që kemi ne sepse s’mund t’i thuash investitorëve të huaj që ju në dimër nuk do të punoni sepse harxhoni shumë dhe na lini qytetarët pa drita. Kjo është çështja numër 1 dhe për këtë dua t’i garantoj qytetarët.

Blendi Fevziu: Nëse ju keni doza optimizmi përsa i përket energjisë, nuk besoj se do të keni po këtë optimizëm përsa i takon rrugëve. Besoj që ndërsa vinit për këtu makina juaj mund të binte në ndonjë gropë ku do të duhej vinçi për ta ngritur nga andej. Pyetja ime ka të bëjë me administrimin e të ardhurave që ju keni. Pak më parë ju deklaruat se rreth 12 milionë të dhëna nga shteti amerikan janë çuar për rrugën Kukës-Morinë. A mund të përdorej ky fond për përmirësimin e rrugëve të Tiranës.

Ilir Meta: Ne këto ditë kemi kaluar si qeveri rreth 200 milionë lekë të reja për të bërë disa ndërhyrje në Tiranë dhe në disa qytete të tjera. Një pjesë e mirë e rrugëve në Tiranë kanë ndryshuar, por secili thotë rruga dhe pallati im, por situata nuk është tragjike.

Blendi Fevziu: A mbajnë përgjegjësi ato struktura që i kanë rregulluar rrugët të cilat brenda vitit janë shkatërruar prap?

Ilir Meta: Edhe kjo është në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Ne sapo kemi kaluar një fond për të bërë një ndërhyrje tek rruga e kombinatit. Unë i kam kërkuar ministrit Fino që firma që ka marë përsipër ta bëjë o do bëjë rrugën ose të ndryshojë liçensën dhe s’ka më punë me tendera. Kjo logjikë do të ndiqet me të gjitha ndërtimet sepse deri tani ka patur papërgjegjshmëri maksimale dhe nuk janë kontrolluar se sa do t’i rezistojnë kohës. Ne nuk do të lejojmë që të tallen njerëzit me ne dhe me fondet publike. Nuk mund të premtojmë mrekullia për një muaj apo për dy muaj. Përsa i takon fondeve dhe të ardhurave që na dha shteti amerikan që i kishte premtuar për shkak të përballimit të krizës në Kosovë është një vendim i qeverisë shqiptare dhe mendoj se e ka vlerën e vet konkrete por ka edhe kuptimin e saj që ne po e fillojmë nga Kukësi sepse është kjo rrugë që mbajti mbi supe tragjedinë më të madhe që ne kemi përjetuar ndonjëherë dhe mbajti vlerat më të mira të kombit tonë dhe mendoj se e meritonin edhe Kuksianët këtë dhe përveç kësaj kemi edhe një marrëveshje me BB për rrugën nga Miloti deri në Kukës e cila është dëmtuar shumë si rezultat i krizës humanitare. Kosova tashmë është në liri dhe në paqe, pavarësisht se komunikimi nuk është ai që duhet.

Blendi Fevziu: Më vjen keq që ta konstatoj, por ka një mosbesim absolut tek institucionet, mungesë vullneti i administratës për të punuar. Administrata shpeshherë hyn në lojrat politike. Vetëm 2-3 ditë më parë ka patur një deklarim të drejtorit të policisë së Beratit i cili deklaronte se është larguar sepse ka përshëndetur rikthimin e Nanos në krye të PS. Janë një sërë gjërash që ju duket se nuk i keni patur parasysh kur keni bërë këtë program. A jeni koshient se vështirësitë që ju keni përpara janë shumë më të mëdha se sa parashikon optimizmi që ju shprehni sot?

Ilir Meta: Përfundimisht qytetarët duhet të kuptojnë se shteti është i tyre dhe duhet të paguajnë detyrimet që shteti t’iu shërbejë me cilësinë që ata duan dhe meritojnë. Është e vërtetë që ka mosbesim dhe gjwja e parë që duhet të bëjmë është të rrisim besimin e qytetarëve tek institucionet. Pse nuk kanë besim? Sepse institucionet kanë qenë të privatizuara deri më sot. Ajo që ne do të bëjmë është të evitojmë privatizimin e institucioneve. Kështuqë unë kam besim se ne do të arrijmë të rrisim besimin tek institucionet duke luftuar njerëzit e inkriminuar brenda institucioneve.Tashmë ne kemi një ligj të ri për administratën, ligjin e nënpunësit civil që është bërë sipas të gjitha standardeve i cili ndan administratën nga drejtimi politik. Kjo do të rrisë funksionimin e dhe cilësinë e administratës. Në administratë duhet të rrijnë ata që mund të punojnë. Nëse ka më shumë se sa ka punë do të shkurtohen sepse njerëzit nuk kanë përse të paguajnë taksa për të mbajtur njerëz që tallen me shtetin. Përsa i përket drejtorit që ju thatë ka ndodhur një rast i turpshëm që një ish-drejtor policie deklaron se meqenëse ishte me Nanon paska ikur nga puna them që askush nuk duhet të kërkojë mbrojtje as tek Nano as tek Meta por tek rezultatet e punës së tij. Ky është një rast i papërgjegjshëm. Ka qenë një propozim i ministrit Poçi dhe unë e kam firmosur pa asnjë merak edhe pse e njoh personin në fjalë. Përfundimisht askush nuk duhet të marë guximin, asnjë shef policie, asnjë shef komisariati që të hajë e të pijë me njerëz që janë në ndjekje nga policia apo që të shoqërohet me trafikantë. Për ne nuk ka rëndësi nëse prindërit e një trafikanti janë me PS apo me PD, ne e kemi marë këtë luftë shumë seriozisht dhe do t’i shkojmë deri në fund dhe të gjithë do ta kuptojnë se vetëm rezultati do t’i mbrojë. Të mos mburren me kapjen e atyre që vjedhin kasetofonë, ne duam kokat e krimit. Duam të ç’rrënjosim krimin një herë e mirë nga Shqipëria dhe jam i bindur se do ta bëjmë. Në këtë shtet nuk ka më të fortë, më i forti është ligji, unë vetë kam frikë nga ligji, habitem si nuk kanë të tjerët.

Blendi Fevziu: Pak ditë më parë ju morët pjesë në samitin e BE në Stamboll, ishte një vizitë ku ju nuk kishit parashikuar të kishit takime në atë nivel që arritët. Pyetja ime është e drejtpërdrejtë, si shpjegohet që në foton e samitit ju u vendosët në qendër midis presidentit turk dhe atij Amerikan?

Ilir Meta: Ndonjëherë unë mendoj se këto mund të jenë edhe vogëlsira që nuk ia vlen të diskutohen, nuk është kjo kryesorja. Unë mendoj se pjesëmarrja në këtë samit është e rëndësishme për të kontribuar për situatën që është aktualisht në Shqipëri. Për herë të parë në këto vite pati tone pozitive dhe firmuese për Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare. Takimet në samit ishin një mundësi shumë e mirë për mua për të prezantuar prioritetet e qeverisë që unë drejtoj dhe që janë edhe prioritete të komunitetit ndërkombëtar për Shqipërinë.

Blendi Fevziu: Ju keni takuar disa herë gjatë pushimeve të seancave presidentin Clinton, i cili është shprehur se marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë janë mjaft të mira. Duke patur parasysh këtë kontekst me tone pozitive si shpjegohet mungesa e Shqipërisë në axhendën e tij në Ballkan. Ndërsa vizitoi thuajse të gjitha vendet e ballkanit nuk u ul në Shqipëri a është mungesë besimi apo mesazh  ndaj qeverisë shqiptare?

Ilir Meta: Së pari Clinton ka bërë një mesazh shumë të qartë të gjithë popullit shqiptar përpara se të bënte vizitën e fundit në Maqedoni kur pritej të vinte edhe në Shqipëri. Ai ishte qëndrimi më i qartë për të ardhmen që duhet të ndërtojmë. Këtu ka arsye që nuk kanë të bëjnë absolutisht me vlerësimin e SHBA për Shqipërinë dhe qeverinë sepse këto janë bërë publike. Unë nuk e ndjej mungesën e vizitës së Clinton, as Zoti Mejdani as Zoti Majko sepse e kemi takuar atë, por populli shqiptar po. Unë shpresoj dhe besoj që një vizitë e tillë do të realizohet. Meret si mungesë mbështetje, por 12 milionë dollarë çfarë ishin? Kjo është një ndihmë konkrete.

Blendi Fevziu: Zoti kryeministër gjatë një raportimi në komisionin e jashtëm të senatit ambasadori italian është shprehur se Meta është një zgjedhje më e mirë se Majko sepse është më i ekujlibruar midis SHBA dhe vendeve evropiane. Keni marë një mesazh urimi edhe nga kryetari i partisë neodemokracia greke natyrisht edhe një mbështetje nga kryeministri grek. Keni patur edhe një mesazh pozitiv edhe nga kryeministri dhe presidenti i Turqisë. A mendoni se në preferencat midis SHBA dhe vendeve evropiane mund të gaboni? A mund ta mbani këtë raport?

Ilir Meta: Mua më vjen keq që shpeshherë është konceptuar keq nga politikanët dhe nga shtypi sikur ka kontradikta të mëdha midis SHBA dhe BE.

Blendi Fevziu: Ka një lloj xhelozie, nuk bëhet fjalë për kontradikta.

Ilir Meta: Mendoj se Shqipëria nuk është aq e madhe sa të krijojë xhelozia në raporte globale. Po ashtu mendoj se të gjitha këto vende janë të interesuar për stabilitetin e Shqipërisë. Shqipëria ka marrëdhënie shumë të mira me të gjitha vendet e kontinentit tonë, me SHBA dhe vende të tjera me përjashtim të Serbisë së Millosheviçit sepse pa Millosheviçin ne do të dimë të ndërtojmë marrëdhënie të mira për të gjithë rajonin tonë. Përsa i takon marrëdhënieve me SHBA, Italinë dhe Greqinë mund të them se unw si kryeministër dhe qeveria jonë jemi mjaft pragmatik. Ne jemi për të zhvilluar të gjitha ato interesa që shkojnë në përputhje me ato të Shqipërisë. Në radhë të parë për integrimin në NATO dhe BE. Ndikim nuk janë as fotografitë e kryeministrit me personalitete ndërkombëtare, por janë politikat e ndryshimit. Është rritja e standardeve drejt atyre evropiane. Ndonjëherë themi përse ndodhin gjërat 3 muaj përpra në Maqedoni? Por sepse atje ka një stabilitet më të madh sesa në Shqipëri, nuk është sulmuar ndonjëherë zyra e kryeministrit me armë dhe nuk kanë ndodhur dhe shumë gjëra të tjera të turpshme që kanë ndodhur këtu dhe që nuk do të ndodhin më. Sepse edhe shqiptarët e kanë kuptuar se nuk mund të bëhen më viktima të politikanëve të papërgjegjshëm që personalizojnë institucioniet dhe që s’duan të mbajnë peng politikisht dhe dëshirojnë të mbajnë peng Shqipërinë me këto historia se kush je ti dhe kush jam unë. Unë jam nga Tropoja ti je nga Skrapari apo unë në ’90 kam qenë antikomunist dhe ti komunist. Historira që nuk i interesojnë njerëzve. Njerëzve i intereson ç’mendim ka PD për energjitikën, ç’analizë i bën kësaj situate apo ç’perispektivë ofron. Të hyjmë në debate më konkrete, më produktive që i shërbejnë  vendit dhe afirmojnë kapacitetet intelektuale të çdo force politike. Unë do ta ftoj opozitën ashtu siç ka bërë edhe Aleanca për Shtetin që të bashkëpunojmë për një strategji për integrimin euroatlantik të plotë të Shqipërisë dhe kjo nuk mund të jetë monopol vetëm i qeverisë dhe kontributi duhet të jetë nga të gjithë. Mendoj dhe shpresoj që ata të reflektojnë edhe për problemin e korrupsionit.

Blendi Fevziu: Ju jeni shumë optimist në të gjitha analizat që i bëni ditëve të ardhshme të qeverisjes, por a e keni menduar ndonjëherë se jeni 30 vjeç dhe nëse dështoni si kryeministër i Shqipërisë karriera juaj mer fund dhe do të detyroheni pastaj të luani futboll në fushën e stadiumit siç kanë bërë edhe shumë kryeministra të tjerë.

Ilir Meta: Unë do të vazhdoj të luaj futboll kur të kem pak kohë më shumë, por jo më në mbrojtje siç kam luajtur, por në sulm. Nuk do të luaj më futboll siç luajtëm në stadiumin kombëtar me drita ku shumë të tjerë na vlerësuan për fitoren kundër opozitës. I vetmi që më bëri të mendohem dhe më bëri të mar këtë vendim që të mos luaj më me drita ishte ambasadori i Zvicrës i cili është një mik shumë i mirë i imi i cili më tha se nuk e pa me drita sepse një pjesë e Tiranës ishte pa drita. Përsa i takon problemit se unë jam 30 vjeç jam i bindur se nëse do të ketë dështim ky nuk do të vijë prej meje sepse unë jam shumë i hapur dhe i vendosur për të sakrifikuar gjithçka në respekt të ligjit. Që nga momenti që jam bërë kryeministër mbaj përgjegjësi për veten time dhe për vajzën time derisa ajo të arrij moshën për t’u bërë e përgjegjshme për veten e saj dhe për asnjë tjetër. Kështuqë do të bëj gjithçka dhe jam i hapur për çdo kontribut nga faktorët që përbëjnë një shoqëri demokratike. Po ashtu jam shumë i vendosur për të ecur përpara sepse ky vend ka nevojë për vendosmëri. Zvarritja nuk është në të mirë të një politikani dhe as të vendit. Nuk duhet kuptuar si një dështim kur një njëri bëhet kryeministër, por kur një njeri premton gjëra që nuk i bën ose ndryshe premtoi dhe ndryshe bëri. Për mua është e rëndësishme edhe për të qenë faktor pozitiv dhe dobiprurës, nuk mund të jesh gjitmonë kryeministër.

Blendi Fevziu: Përpara se t’iu falënderoj unë shpresoj që do të jeni po kaq optimist kur të vini herën tjetër në studion e Tv Klan dhe shpresoj që ato muaj nuk do t’iua kenë zbehur entuziazmin që po dëshmoni tani. Mbetet t’iu falënderoj që ishit sot në studio dhe t’iu ftoj që të vini herë të tjera.

Ilir Meta: Edhe unë ju falënderoj, jam dalluar për qëndrueshmëri dhe shpresoj ta ruaj këtë cilësi edhe në të ardhmen.

Blendi Fevziu: Bashkohem edhe unë me shpresën tënde dhe të nderuar teleshikues nga studio e Tv Klan po iu uroj natën e mirë dhe do të rishihemi sërish.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al