Intervistë me Mit’hat Havarin, Drejtorin e Policisë Tiranë.

Gazetari: Jeni vënë në krye të Policisë së Tiranës, si dorë e fortë, a e konsideroni veten si të tillë?

Mit’hat Havari: Po, më vjen mirë që konsiderohem dorë e fortë por këto janë sinonime të njëra tjetrës. Unë jam zbatues korrekt i ligjeve të shtetit shqiptar. Dhe natyrisht të jesh zbatues i ligjeve të shtetit, t’i zbatosh ato me forcë kuptohet pastaj ka emërtime, dorë e fortë, dorë e hekurt, e të tjera, kjo mua nuk më fyen përkundrazi më jep nder sepse në fund të fundit unë i shërbej me shumë dinjitet vendit tim.

Gazetari: A e prisnit emërimin në postin e lartë të kryepolicit të
kryeqytetit?

Mit’hat Havari: Po, kohët e fundit unë kam patur shumë lëvizje në rang drejtorish si Berat, Shkodër, tek Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, pastaj në dispozicion të Ministrisë së Brendshme me një detyrë tjetër jo në të të njëjtit nivel, megjithatë në kohët që kalon Shqipëria secili e di vetë punën e tij dhe prisja që të emërohesha në detyrë.

Gazetari: Cilat janë objektivat tuaja në krye të Policisë së Kryeqytetit që pretendoni t’i arrini sa më shpejt?

Mit’hat Havari: Po, kryeqyteti shqiptar për vetë pozicionin e tij gjeografik është rritur shumë vitet e fundit është rreth 600 mijë banorë. Mora dje një shifër zyrtare të saktë nga Kryetari i Bashkisë nga një mbledhje që pata me këshillin administrativ të Prefekturës. Kjo popullsi që është edhe heterogjene për faktin se kohët e fundit demografia e saj është shtrirë, kanë ardhur nga të gjithë rrethet e vendit, që nga Verilindja dhe nga Jugu dhe Shqipëria e Mesme, e të tjera. Raporti shkon që 600 mijë banorë mbrohen nga 2000 policë dhe i bie që një polic të ketë 300 banorë. Këtu të mos fusim brenda Forcat Speciale. Mendoj që raporti nuk është i zhdrejtë, është normal. Puna ime është e madhe e di që ka patur probleme përpara dhe problemet do të vazhdojnë, ndërkohë shteti funksionon, edhe në botën e qytetëruar atje ku niveli ekonomik është shumë i madh, problemet sociale nuk janë të mprehta sa këtu në Shqipëri që kallashnikovët janë në duart e shqiptarëve dhe shumë armë të tjera, por sido që të jetë kur shteti funksionon gjithçka normalizohet./tvklan.al

Gazetar : Eduart Frangaj