Opinion- Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu realizuar më datë 07 Mars të vitit 2002 ka pasur të ftuar Presidentin Rexhep Mejdani.

Intervista ishte përqendruar në aktualitetin politik në vend në atë kohë, por jo vetëm. Mejdani, profesioni i parë i së cilit ka qenë mësimdhënia tha se shifrat e analfabetizmit në vend në atë periudhë kanë qenë shqetësuese.

“Shifrat e analfabetizmit në vend janë të vërteta, lëvizin nga 2.5 deri në 3 %. Është një shqetësim jo vetëm i Shqipërisë, por ndërkombëtar. Strukturat e shtetit shqiptar po e konsiderojnë me seriozitet këtë element që nuk i përgjigjet aspiratës për edukim dhe shkollim. Jam i bindur që nuk do vonojë dita që qytetari i Shqipërisë do të jetë edhe i Evropës. Në shumë shkolla po zhvillohen kurse serioze dhe ka një interes të ri. Edhe kërkesa për shkollim po rritet tej përmasave që siguron sistemi shkollor. Shkëputja e fëmijëve nga shkolla lidhet edhe me situatën ekonomike”,tha Mejdani.

Lidhur me debatet politike, Presidenti tha se janë normale në një botë demokratike.

“Konfliktet brenda një partie janë normale në një botë demokratike. Ne mund të kemi pjesën emocionale dhe të agresivitetit më të lartë ata mund të kenë pjesën racionale më të lartë. Konflikti në PS mund të ketë konceptime dhe filozofi të ndryshe dhe nuk më takon të bëj vlerësime publikisht lidhur me këtë gjë. Por mund të them që ka një filozofi që nuk është e drejtë”,tha Presidenti Mejdani.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012