Opinion – Më 24 Maj të vitit 2001, ish-Presidenti Rexhep Mejdani ka bërë daljen e tij të parë në publik pas marrjes së postit në emisionin “Opinion”.

I pyetur se përse kishte hezituar të jepte intervista, Mejdani tha se i ka parë si jo efektive  për shkak të prezencës në jetën shqiptare përmes takimeve nëpërmjet vizitave të ndryshme që ka pasur dhe ka bërë.

“Duke qenë prezent në jetën shqiptare nëpërmjet vizitave, ndoshta një intervistë direkte më dukej jo edhe aq efektive. Megjithatë roli që po luan Televizioni Klan janë nxitje jo vetëm për mua, por edhe për politikanë dhe intelektualë të tjerë”, tha Mejdani.

Intervista e tij për “Opinion” përkoi po ashtu me çeljen e fushatës në vitin 2001, por sipas tij data e intervistës së tij nuk kishte lidhje me fushatën. Ai u shpreh se

“Më shumë është një përcaktim që bëmë sëbashku për të realizuar këtë intervistë. Nuk lidhet me fare me fushatën dhe unë mund të them që bazuar edhe në detyrat e mia kushtetuese, pjesëmarrja në fushatë do të ishte shkelje e detyrimeve të institucionit të Presidencës. Ky qëndrim ashtu si edhe në fushata të tjera elektorale do të jetë karakteristikë edhe për këtë fushatë, pavarësisht se kjo intervistë mund të krijojë edhe turbullira tek disa individë të cilët nuk kanë arritur të bëjnë vlerësimin e saktë të institucionit të Presidentit të Republikës. Presidentit nuk do i lejohet të jetë pjesë e fushatës elektorale. Detyra e tij është të jetë mbi fushatën në mënyrë që të ndihmojë kompozimet e ardhshme qeveritare”, tha Mejdani. / tvklan.al