Ai është një nga personazhet e rëndësishëm politik në Shqipëri. Ish-Presidenti Rexhep Mejdani ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu më datë 07 Maj 2003 lidhur me aktualitetin politik të asaj periudhe.

I pyetur në lidhje me angazhimin e tij të përditshëm pas lirimit nga detyra e Presidentit të Republikës, Mejdani tha se për të nuk ka qenë shumë e vështirë shkëputja detyra.

“Është një intensitet, natyrisht jo si ai që kam pasur më parë, por me një gamë të gjerë problemesh. Jam në kontakt me shumë personazhe politikë, jam në kontakt me njerëz të thjeshtë dhe me gazetarët. Rikthimi në jetën e përditshme, jashtë postit të presidentit nuk ka qenë i vështirë. Kthimi në një jetë jashtë politikës më duket diçka normale. Shkëputja mund të krijojë disa shqetësime fillestare, por jeta dhe takimi me njeriun, me mendimin, me zhvillimin larg politikës mund të bëhet edhe nga pozitat e qytetarit të thjeshtë. Aktualisht jam i angazhuar në një Universitet privat, më pëlqen ajo që bëj. Është një angazhim modest, kohëshkurtër, por që e bëj me kënaqësi”,tha ish-Presidenti.

I pyetur lidhur me rikandidimin e tij, Majdani tha se kishte pasur hezitime dhe se asnjëherë nuk kishte marrë një vendim për të rikandiduar.

“Ne kemi pasur disa intervista së bashku dhe unë nuk jam prononcuar lidhur me këtë. Fakti që nuk jam prononcuar ka qenë për të luajtur rolin e kreut të shtetit deri në fund dhe me gjithë kapacitetet e duhura. Unë kisha hezitimet e mia për rikandidim që në Shtator të vitit 2001 dhe ato hezitime më shoqëruan gjatë gjithë kohës. Asnjëherë nuk kisha marrë një vendim për të rikandiduar. E konsideroj si një gjë normale sepse atë vendim nuk e kisha marrë kurrë. Ne kemi pasur takime në atë kohë që edhe Nano të jetë pjesë e strukturave shtetërore. Atje ndesha rezerva, por që në atë kohë gjykoja që duhej hapur një hapësirë e tillë për të ndihmuar Partinë Socialiste jo për të kryer një farë shërbimi ndaj Nanos. Leximi i diçkaje që vlonte brenda kësaj partie nuk ka filluar në Shtator. Ishte një lexim që po shfaqej para zgjedhjeve të Qershorit, kishte shenja edhe gjatë fushatës dhe shumë qartë u dallua në mbledhjen e KPD”,tha Mejdani./tvklan.al