Në vitin 1999 ai ishte një nga politikanët më të rëndësishëm të botës. Boutros Boutros Ghali në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i Frankofonisë dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.

Në emisionin e realizuar më datë 17 Nëntor të vitit 1999, Boutros Boutros Ghali ka folur kryesisht për frankofoninë dhe në një moment edhe për statusin e Kosovës në atë kohë.

“Unë vij nga një vend që ka si gjuhë kombëtare arabishten dhe që 70 vitet e fundit ka qenë i pushtuar nga Anglia, por në Egjipt ka pasur gjithnjë një influencë franceze dhe Egjipti gjatë shekullit të XIX ka përdorur Francën kundër Anglisë. Pra gjuha franceze ka qenë gjithnjë një element i rëndësishëm në kulturën Egjiptiane. E drejta egjiptiane është kopjuar nga e drejta franceze, qoftë e drejta civile, qoftë e drejta e Napoleonit, procedura, Këshilli i Shtetit, Gjykata e Lartë dhe të gjitha këto janë frymëzuar nga institucionet e drejtësisë franceze. Organizata e frankofonisë është ndërkombëtare, ka një kombësi të ndryshme dhe përfshin 55 shtete. Pati një vullnet të Shqipërisë për t’u bërë anëtare e Organizatës së frankofonisë dhe kjo është edhe arsyeja e vizitës time në Shqipëri për ta përgëzuar si anëtaren më të re. Interesi i komunitetit ndërkombëtar është që të gjitha shtetet të marrin pjesë në këtë organizatë. Të gjitha shtetet duhet të marrin pjesë në vendimmarrje, tha Boutros Boutros Ghali.

Lidhur me statusin e Kosovës në atë kohë Boutros Boutros Ghali nuk dha një përgjigje specifike dhe tha se kjo varej nga komuniteti ndërkombëtar.

“Kjo varet nga komuniteti ndërkombëtar, i takon atij të vendosë sepse është ai që do ta marrë përsipër përgjegjësinë për këtë provincë”, tha Boutros Boutros Ghali.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012