Opinion- Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, i përkthyer në 45 gjuhë është cilësuar edhe si një prej shkrimtarëve dhe intelektualëve më të shquar evropianë të shekullit të XX. Ai krijoi një vepër me karakter universal, por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare.

Edhe pse jetoi e mbijetoi duke qenë shkrimtar në kohën e censurës së ashpër të realizimit socialist shqiptar, Kadare vlerësohet se iu shmang asaj filozofie në mënyrë të jashtëzakonshme me një disidencë të heshtur. Më 11 Nëntor të vitit 1998, shkrimtari ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu ku ka folur për letërsinë, raportet me diktaturën dhe largimin nga Shqipëria.

“Gjatë këtyre 8 viteve që jam larguar nuk e quaj më veten se banoj në Paris apo banoj në Tiranë, por kur më pyesin se ku banoj them që ndaj kohën mes Francës dhe Shqipërisë. Pjesën më të madhe të kohës e kaloj në Francë për shkak të punës, por kjo nuk është e thënë që do të jetë kështu përgjithmonë. Unë nuk e kam ndjerë mungesën e Shqipërisë sepse në krijimtarinë time ka qenë gjithmonë letërsia dhe gjuha shqipe. Ndërrimi i gjuhës në të shkruar është një ndarje shumë e fortë, madje më e madhe se hapësira. Unë asnjëherë nuk kam menduar të shkruaj në një gjuhë tjetër”,tregoi shkrimtari.

I pyetur për vështirësitë e fillimit të jetës së tij të re në Francë, Kadare mohoi të kishte filluar një jetë të re dhe shtoi se jeta e një shkrimtari është krijimtaria dhe se nuk ka rëndësi se ku jeton.

“Unë nuk kam filluar kurrfarë jete të re, jeta e shkrimtarit është krijimtaria, kjo nuk ndryshoi edhe pas largimit të truallit. Ajo ç’ka jepej në mediat e huaja për Shqipërinë ka qenë e trishtueshme, më e trishtueshme nga ç’mund të ishte këtu. Imazhi i Shqipërisë në botën e jashtme 2 vite më parë ka qenë një katastrofë”,u shpreh Kadare.

Lidhur me takimin e tij me diktatorin Enver Hoxha, Kadare tha:

“Unë kam takuar Enver Hoxhën vetëm një herë në jetë dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Kemi qëndruar rreth 3 orë dhe ka folur kryesisht ai. Kemi folur për Gjirokastrën dhe Moskën, qëndrimin e tij atje dhe përshtypjet që kishte. Pas publikimit të librit “Dimri i vetmisë së madhe”, unë jam sulmuar nga mediat dhe Enver Hoxha më ka mbrojtur publikisht duke thënë se shkrimtarët kanë botën e tyre dhe duhet të jenë të lirë”.