Emisioni “Opinion” realizuar më datë 10 Janar të vitit 2002 ka pasur të ftuar një prej figurave politike në vend, Spartak Ngjelën.

Në atë kohë Ngjela ka qenë deputet i Partisë Demokratike dhe Sekretar i sapozgjedhur i Marrëdhënieve me Publikun i asaj partie. Gjatë intervistës përballë gazetarit Blendi Fevziu, Ngjela foli për angazhimin e tij në Partinë Demokratike dhe tregoi si e mori propozimin për të punuar me Sali Berishën.

“Tashmë që jam angazhuar në Partinë Demokratike unë nuk kam humbur pavarësinë, por duhet të jem më i vëmendshëm ndaj një karriere politike. Edhe Zoti Berisha gjënë e parë që më tha ka qenë: “Ju jeni i pavarur”. Në kuptimin që ju përgjegjësinë e kuptoni vetë për gjithçka. Më pyesin për Sali Berishën nëpër emisione dhe unë kam dhënë mendimin tim të pavarur. Këtë radhë brenda radhëve të politikës nuk mund të flasësh dot as mirë as keq, sepse duhet të ruash seriozitetin.

Nëse filloj të flas mirë opinioni publik do thotë: “Filloi tani ky me furçat”. Por nëse flet keq atëherë je jashtë politikës. Kritikat nuk ka nevojë të thuhen në televizion, ndërkohë që ne takohemi çdo ditë. Berisha nxorri nga hija në dritë persona të panjohur, krijoi stafin e tij ekzekutiv, të cilin e quajti sekretariat.  Ky sekretariat në esencë është një lloj qeverie hije. Unë nuk kam dalë nga rruga dhe kërkova punë. Berisha lexoi një artikull timin, më mori në telefon dhe më kërkoi të punonim bashkë.

Unë politikisht me Berishën kam punuar gjatë dhe dua të them që shumë gjëra i kemi bërë bashkë. Disa debate i kemi iniciuar me tendencë. Puna me të ka qenë e lehtë. Berisha është njeri që krijon ide të reja dhe kushdo që mund të punojë me të ka shumë komoditet sepse nuk lodhet shumë vetë, por elaboron disa ide. Politika është një lëvizje permanente e ideve. Politikë pa ide nuk ka”, tha Ngjela.