Gazetari: Këto 24 orë si i kaloi Zani në lirim?

Zani: Qetë fare me miqtë e mi me shokët e mi, kishin ardhur dhe shokë të tjerë edhe nga jashtë shtetit nga shumë shtete të Europës. Kalova ditën e djeshme dhe pothuajse gjithë natën në Durrës, ndodhesha mes gjithë miqve të mi. Sot në mëngjes u ktheva rreth ores 9 e 30 minuta në lagjen time.

Gazetari: Si e priti Zani vendimin dhe a e prisnit ju që të liroheshit nga salla e gjyqit?

Zani: Po e dija që isha i pafajshëm. Ishin të gjitha të sajuara nga njerëz që për interesa personale për të mbushur xhepat e tyre me dollarë, përdorin një njeri të ndershëm e përdorin si mund ta them se s’mar shumë. vesh nga politika, jam injorant në fushën e politikës, më quajtën kryekriminel, kryebandit. Shumë njerëz të pafajshëm që ndodhen akoma sot e kësaj dite në burg mbahen padrejtësisht në burg që unë i kam njohur vetëm në burg, i akuzonin për vrasje, për rrëmbime në bashkëpunim me mua sigurisht, edhe nuk e di në krahun tjetër akuzohet Prokurori si prokuror politik e shumë e shumë gjëra.

Gazetari: Për Prokurorin tuaj Xhevat Hana?

Zani: Po, po zotin Xhevat Hana për të cilin kam shumë respekt jo se më dha u tërhoq nga akuza për mua se me thënë të drejtën frikë nuk kam as nga burgu as nga njeri.

 Gazetari: Për lirimin tuaj u bënë shumë komente, më i fundit është ai i Ministrit të Drejtësisë, Thimio Kondi i cili e quajti të padrejtë ashtu si dhe Prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi e quajti një lajthitje juridike pretencën e Prokurorit Xhevat Hana?

Zani: Unë zotin Hana nuk e njoh për të lajthitur siç është shprehur zoti Rakipi por do të them një gjë që kisha dëshirë që zoti Rakipi të ishte prokurori im i çeshtjes dhe zoti Ministër, zoti Kondi të ishte Kryetari i Gjykatës për gjyqin tim, do kisha shumë dëshirë të madhe.

Gazetari: Ju mendoni se vendimi do ishte i njëjtë?

Zani: Po. Bile më kanë dënuar padrejtesisht për armëmbajtje pa leje sepse nuk jam kapur as me armë kam qënë pa armë.

 Gazetari: Ju jeni akuzuar gjatë kohës që keni qënë në burg, se keni lënë qelinë, keni shkuar deri në Itali, keni mbajtur lidhje me qeveritarë aktuale?

Zani: Këto nuk janë aspak të vërteta, këto janë sajime politike që u intereson politikanëve dhe se përdorin emrin tim si bandit, si kriminel.


Gazetari: Ju jeni një qytetar i lirë, me çfarë do të merret qytetari Myrteza Çaushi?

Zani: Dëshira ime është e madhe që të bëj shumë gjëra. Unë kam dëshirë që të ndihmoj gjithë të varfërit e kësaj lagje. Jo se vetë jam ndonjë i pasur.

Gazetari: Kur keni qënë në burg keni deklaruar se sapo të dilni ju do të merreni me peshkim.

 Zani: Po unë, është hobi im peshkimi më pëlqen të shkoj të stërvitem jam marrë gjithë jetën me stërvitje, të kaloj kohën, të bëj gjëra të mira, dua të bëj gjëra të mira.

Gazetari: Ju thatë do të ndihmoj të varfërit e Vlorës dhe do të merreni me një sport si peshkimi, i cili për hobi siç thatë dhe ju, ushtrohet nga të pasurit. Faktikisht me çfarë pune konkrete do të merreni që ju të ndihmoni të varfërit e Vlorës?

Zani: Une do të siguroj nga shoqata bamirëse në Greqi kam disa miqtë e mi, do të siguroj ndihma siç i kam siguruar dhe në ‘97 kur këto ndihma kane qënë 180 milionë dhrahmi dhe u vodhën nga një drejtues i Policisë së Vlorës, poshtërsisht u morën këto pako.

Gazetari: Ju me anë të ndihmave të miqve tuaj tregtarë do ndihmoni lagjen?

Zani: Do ndihmoj më të varfërit.

 Gazetari: Në Vlorë dëgjuam që do krijohet një shoqatë bamirëse e quajtur “Zani Caushi”, si është e vërteta?

Zani: Kjo shoqatë është e vërtetë që është krijuar faktikisht dhe pritet të aprovohet nga Ministria e Drejtësisë. Këta persona janë njerëz me shkollë të lartë, mbaruar shkollën në Rusi, ish oficera dhe kanë dëshirë që të vënë emrin e kësaj shoqate “Zani Çaushi”, për arsye bamirësie.

Gazetari: Ka frike Zani Çaushi?

Zani: Në botë s’kam pasur ndonjëherë frikë. Kam frikë vetëm Zotin.

Gazetari: Nga ju buron kjo siguri?

Zani: Sepse jam i sinqertë, jam i pastër, nuk i kam rënë kujt në qafë. Kush do mundohet që të më inkriminojë në çeshtje të më përdorin si ta them të më implikojnë në vrasje, e kanë të kotë, unë s’jam marrë me gjëra të tilla.

Gazetari: Ç’është vdekja per Zani Çaushin?

Zani: Siç është lindja ashtu është edhe vdekja. Siç lindim ashtu dhe do vdesim të gjithë.

Gazetari: Me 1 Prill është caktuar një datë për dhënien për rikthimin e parave nga fajdet për qytetarët. Ju keni qënë në krye të revoltës së Vlorës pikërisht për çeshtjen e rikthimit të parave të grabitura nga fajdet. Nëqoftëse nuk rikthehen paratë pas datës 1 Prill e cila në gjuhen shqipe ose në shqip njihet si ditë gënjeshtrash, çdo të bëjë Zani Çaushi?

Zani: Faktikisht 1 Prilli është dhe ditëlindja ime. Une s’mund të përcaktoj dot tani se nuk jam as ekonomist. Qeveria ka ekonomista të mirë si zoti Arben Malaj, zoti Anastas Angjeli, zoti Ridvan Bode, zonja Albina Karamitro. I bëjnë mirë llogaritë, kupton. Nëqoftëse këta I sigurojnë këto para është mirë që t’ja japin popullit, nëqoftëse i sigurojnë. Nuk di çfarë të them për punën e parave.

Gazetari: Në një takim të Kryekontrollorit të Fajdeve, Fahrudin Arapi para disa ditësh në qytetin e Vlorës pati një irritim nga qytetarët për moskthimin e parave dhe u tha që nëqoftëse nuk do të mbahet premtimi i Qeverisë dhe i ish Kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano ato do të rikthehen përsëri në shesh. Ju do t’i ndiqni ata ?

Zani: Është e drejta e qytetarëve. Unë edhe mundet t’i ndjek. Unë s’kam humbur para në firmat piramidale e thashë dhe pak përpara. Thjesht kam ardhur për të mbrojtur familjen time në radhë të parë, kur shqiptarët iknin në Greqi, në Itali, apo në vende të tjera të Europës, unë u ktheva në shtëpinë time për të mbrojtur shtëpinë time.

Gazetari: Gaxhai dhe Kakami ndodhen në burg për të njëjtat akuza që u akuzuat edhe ju. Mendoni se ata janë të fajshëm?

Zani: Nuk mund të akuzoj dot asnjë njeri, as Kakamin, as Gaxhain, nuk kam asgjë me ta. S’i kam as hasëm asgjë, bile Kakamin e kam pas shok, pavarësisht se punët tona personale nuk flasim me njëri-tjetrin. Si ta them punë politike. Ai është i djathtë, unë jam gjysëm i majtë apo si ta them, e ke parasysh politike. Ndaj nuk flasim me njëri -tjetrin. S’kam asgjë me ta, as u kam vrarë njeri.

 Gazetari: Para lirimit tuaj u tha që bandat tuaja rivale janë duke lëvrirë nëpër qytet që sapo ju të liroheshit ata të hakmerreshin ndaj jush.

Zani: Nuk është e vërtetë. Keëo janë të gjitha të sajuara.

Gazetari: Nëqoftëse lirohet Gaxhai dhe Kakami ju do i takoni tani që politika nuk është me mes tuaj?

Zani: S’kam asnjë problem me ta, i takoj, s’ka problem pi kafe me ta, s’ka problem fare. S’kam asgjë me ta.

Gazetari: Ju gjatë gjithë kohës do të qëndroni në shtëpinë tuaj këtu në lagjen Cole?

 Zani: Fillimisht dua të merrem, dëshira ime është shumë e madhe për shumë gjëra. Fillimisht dua të rregulloj këto rrugët e lagjes pa ndihmën e shtetit. Do t’i rregulloj me forcat e mia se edhe shteti është shumë i dobët ekonomikisht, kot që t’i biesh në qafë se nuk është problem të ngrihet gjithë kjo lagje këtu tani, 50 mijë banorë për të protestuar, po ku t’i gjejë paratë shteti.

 Gazetari: Ju keni thënë që faj në akuzat ndaj jush ka pasur edhe shtypi, ku konsistojnë ato sipas jush?

Zani: Janë disa, tre gazeta janë për mendimin tim janë shumë qesharake. Mua më kanë bërë nder të madh në fakt gazeta “Albania”, gazeta “Republika”, “552, “RD-ja” sepse jam argëtuar me to në burg. Nga gazeta “Albania” kam mësuar nja 200 vrasje, emra që s’i kisha dëgjuar ndonjëherë në jetën time, rrëmbime personash, përdhunime, grabitje, si mund ta them më kanë bërë të famshëm ja u kam për nder këtyre gazetave të opozitës.

Gazetari: Ju shijon kjo famë?

Zani: Më kanë bërë të famshëm ata jo se më shijon fama mua. Unë nuk vuaj për lavdi, nuk më pëlqejnë lavditë. Jam njeri i thjeshtë, shikoj hallin tim, pavarësisht se lagja ime këtu nuk është e vogël është pothuajse sa një qytet kanë respekt për mua se unë i kam ndihmuar, i kam respektuar, i jam gjendur pranë në ditë të vështira. Ju e dini mirë ju gazetarët që këto gjeëa i shfrytëzon politika në përgjithësi, persona të tillë si puna ime.

Gazetari: Ju do vazhdoni të shëtisni nëpër rrugët e Vlorës me makina të blinduara dhe me armë.

 Zani: Jo, kam dalë në këmbë sot bile s’e pata problem fare, pa armë, s’kam armë, çe dua armën.

Gazetari: Nuk do të mbani asnjëherë armë?

Zani: Mendoj që për vetë situatën e keqe që është që është populli i armatosur, mendoj që sipas ligjit, rregullave, t’i drejtohem organeve kompetente për të nxjerrë një armë me leje. Nëqoftëse do të dojë gjithmonë shteti. Unë jam për respektimin e ligjeve, respektoj shtetin deri në vdekje.

Gazetari: Zoti Arben Malaj ka thënë në një intervistë që para ardhjes së Prodit në Vlorë, ai ju ka kërkuar ju zbatimin e ligjit dhe zbatimin e rregullave të shtetit ligjor dhe jo mbrojtjen e Prodit, ndërkohë që nga ju ka dalë një version tjetër sipas të cilit ju keni marrë në mbrojtje Prodin.

Zani: Është e vërtetë, ja në këtë vend bile, të them dhe tavolinën ku ka ardh Arben Malaj me Kryetarin e Policisë të asaj kohe, kryetari kukull ishte kot fare, zotin Milto Kordha, më ka kërkuar ndihmë për të mirën e Shqipërisë, më tha, sepse unë isha shumë i revoltuar nga vrasja e anijes së Otrantos, se ajo nuk që një fatkeqësi, por që një vrasje e qëllimshme, me qëllime të caktuara politike, për të treguar që ja kriminelat vranë popullin e pafajshëm, më shumë për të dëmtuar popullin e Vlorës, për ta.

Gazetari: Domethënë zoti Malaj ju kërkoi ju mbrojtjen:

Zani: Zoti Malaj nuk është e vërtetë që më ka thëne unë e dëgjova intervistën e tij tek TVA e kam parë se e kam parë në burg faktikisht, nuk dua ta përgojoj sepse ai është ka karrierën e tij e ke parasysh. Unë nuk vuaj që të jem me një politikan, si ta thashë dhe pak më parë që
ta përgojoj atë. Por Arben Malaj nuk më ka kërkuar mua kurrë që të më thotë respekto ligjet e shtetit, sepse në atë kohë nuk kishte shtet, kishte vetëm banditë me maska pa maska, grabisnin, vrisnin, prisnin. Po i kujtoj vetëm diçka Arben Malajt se e kam shoqëruar në ora 11 të natës ku është goditur makina e Arben Malës tek klubi Rinia. Vetëm kaq. Kam qënë unë ai që e kam shoqëruar deri në njëfarë vendi ku ai do të flinte atë natë. Ka qënë ora 11, 11 e gjysëm e natës dhe shumë gjëra të tjera që unë të thashë nuk dua të hakmerrem ndaj tij. Ai është politikan, unë kam respekt për të, është vlonjati im, nuk e hedh poshtë asnjëherë.

Gazetari: Disa nga shokët tuaj më të ngushtë, para arrestimit tuaj por edhe tani se fundi janë vrarë. Pse ka ndodhur kjo dhe a ju ka ardhur keq për ta?

Zani: Shokët e mi, mua më është vrarë vetëm një, më është vrarë me një fjalë në anijen e Otrantos, banon në kat të dytë këtu tek ky pallat. Vetëm ai me është vrarë nga shokët e mi, që kam unë shok fëmijërie. Vetëm ai më është vrarë. Se unë nuk mbaj përgjegjësi. Unë njoh shumë njerëz, unë miq edhe shokë kam edhe në Xhungël të Afrikës, nuk është e thënë tani çdo kush vritet në Vlorë apo qytet tjetër janë krahu i djathtë imi. Këto s’janë të vërteta.

Gazetari: Arben Latifi nuk është krahu juaj i djathtë, s’ka qënë?

 Zani: Nuk është e vërtetë, s’ka qënë krahu im i djathtë. Unë Arbenin e kam ndihmuar kur ka qënë në pozicion të vështirë, kur kam qënë në Athinë, e kam mbajtur për disa muaj në shtëpinë time s’kishte ku të flinte. Më vonë nuk e kam parë më që nga viti 1995 kur ka ardhë në 97 këtu e kam takuar. Kishte probleme, kishte shumë probleme. Nuk ishte njeri i keq. Të tjerë i kishin fajet edhe për atë.

 Gazetari: Nga vendimi i djeshëm i Gjykatës së Tiranës, veç 5 të liruarve nga ju që u akuzuat fillimisht si banda e Colës, 8 të tjerë janë në burg. Si ju duk vendimi për ta?

Zani: Si ta them, nuk mund të gjykoj tani zotin Martin Deda unë si Zani, se s’jam jurist, ai i di më mirë ato punë. Nëqoftëse ka pasur fakte për ta ka bërë shumë mirë që i ka dënuar, kuptohet. Por unë mendoj se nuk kishin fakte. Asnjëri nga këta persona nuk kishte fakte.

Gazetari: Domethënë edhe ata duhet të ishin liruar bashkë me ju?

Zani: Po që të gjithë duhet të ishin liruar.

Gazetari: Zani, thatë që ju jeni i varfër, ndërkohë që ne shikojmë që është në përfundim e sipër një vile e cila me sa mësuam është juaja. Ku i gjetët ju paratë?

Zani: Vila nuk është e imja por është e vëllait tim që ka punuar për vite të tëra në Itali, gjithashtu e kam ndihmuar dhe unë që kam qënë në emigracion gjatë 7-8 vjetëve.

Gazetari: Ju keni thënë që keni shumë telepati. Ç’thotë telepatia për të ardhmen e Zani Çaushit?

Zani: Tani për tani s’mund të jap një përgjigje të saktë. Telepati kam telepati të çmendur faktikisht si mund ta them. Kam një shokun tim gjerman më thoshte që ke radarët shumë të mëdhenj, i kap gjërat shumë larg. Faktikisht ashtu është siç më thoshte shoku im Hansi, është e vërtetë që i ndjej shumë gjërat.

Gazetari: Çfarë ndjen në këtë moment?

Zani: Në këto momente ndjej qetësi shpirtërore.

Gazetari: Po për të ardhmen?

Zani: Përsëri, jeta vazhdon, nuk i dihet, ka fatkeqësira, ka gjëra të bukura, ka lloj lloj gjërash kupton./tvklan.al

Gazetar: Alfred Peza