Carla Bruni, kantautorja e njohur italo-franceze dhe bashkëshortja e ish-Presidentit francez Nikolas Sarkozy, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, flet për jetën dhe koncertin që do të mbajë në Shqipëri, më 21 Qershor në Butrint.

Blendi Fevziu: Ju falenderoj për intervistën dhe mirë se të vini në Shqipëri.

Carla Bruni: Faleminderit shumë.

Blendi Fevziu. Eshtë hera e parë që vini në Shqipëri?

Carla Bruni: Eshtë hera e parë dhe uroj të mos jetë e fundit. Këtë herë do të ndalem vetëm për një ditë, një mbrëmje për koncertin më saktë.

Unë jam i sigurt që kjo nuk do të jetë hera e vetme që vini në Shqipëri, shpresoj që edhe ju të mendoni si unë.

Carla Bruni: Do më pëlqente shumë të vija. Unë dhe im shoq e biseduam mbrëmë dhe mendoj se në Shqipëri i gjen të gjitha peisazhet. Eshtë një vend i pasur… Gjen malin, detin… Sheh malin, detin, Shqipëria ka diçka magjike, misterioze duke u nisur nga përshtypja që lë vendi kur e sheh nga jashtë për ne italianët apo francezët, ndaj jam shumë e gëzuar që do të këndoj tek ju, por shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi.

Ju do të këndoni në një vend që jo vetëm është i mrekullueshëm, por ka edhe njëfarë rëndësie historike, i cili është një nga qytetet më antike të botës dhe qyteti ku ka lindur Roma.

Carla Bruni: Kjo është e mrekullueshme. Eshte një vend i bukur dhe e kam bërë në fotografi.

Eshte edhe një sit tjetër i rëndësishëm arkeologjik, apo jo? Apollonia.

Carla Bruni: Po, Apollonia.

Por Butrinti është magjepsës. Shpresoj që ky amfiateatër romak, greko-romak,  pasi e kanë përdorur të dyja palët, uroj që të jetë një mbrëmje e magjishme për ju.

Carla Bruni: Për mua… për të gjithë është një nder të këndosh në një vend si Shqipëria, të jesh e ftuar dhe mbi të gjitha të këndosh në këtë teatër antik është… për mua dhe bandën time të muzikantëve është një… nuk mund ta përshkruaj me fjalë, por është ideale.

Në koncert jeni vetëm apo do t’ju shoqërojnë?

Carla Bruni: Do të jem bashkë me muzikantët e mi, pasi vetëm nuk mund t’u biesh të gjithë instrumenteve.

Sa këngë do të këndoni?

Carla Bruni: Normalisht në një koncert që zgjat një orë e 20 minuta apo një orë e gjysmë janë afërsisht 25 këngë.

Pse keni zgjedhur Shqipërinë për koncertin “French Touch”?

Carla Bruni: Unë do doja që këtë album ta çoja kudo në botë, në sa më shumë vende të botës.

Ju udhëtoni shumë për koncerte.

Carla Bruni: Kam shkuar në shumë vende dhe ishte vërtet shumë bukur. Nga Amerika në Kore, nga Gjermania në Rusi, jam shumë  e lumtur që po e mbyll turin me Shqipërinë.

Kam dëgjuar që së shpejti do të shkoni edhe në Kinë.

Carla Bruni: E saktë.

Le të themi që francezët që dalin jashtë Francës në këto vitet e fundit janë të paktë. Ku qëndron suksesi juaj që tejkalon kufijtë e Francës?

Carla Bruni: Unë…Le të themi që…

Mbase ju ndihmon fakti që keni qenë një modele me famë botërore.

Carla Bruni: Mbase, ndoshta edhe fakti që im shoq ka qenë presidenti i republikës së Francës, edhe kjo të bën të njohur. Dhe…

Mendon se edhe kjo të ndihmon?

Carla Bruni: Mendoj se po. Gjithashtu kam patur fat edhe pasi doli disku im i parë me këngë franceze, i cili u mirëprit në mbarë botën në 2002. “Quelqu’un m’a dit”. U shit gjithandej, mbase më eci fati. Ndërsa disku i fundit që do ta sjell edhe në Shqipëri “French Touch”  u realizua nga David Foster, i cili është një producent multinacional.

Një nga më të famshmit në botë. Si u lidhët me Fosterin?

Carla Bruni: Foster ka qenë shefi i Verve në Shtetet e Bashkuara. Foster më propozoi këtë bashkëpunim edhe ngaqë ai punonte për Verve. E realizuam këtë diks bashkë në 10 ditë dhe ishte një kënaqësi e madhe.

Shumë interesante. Një vajzë italiane që ka jetuar pjesën më të madhe të jetës në Francë dhe në bashkëpunim me Foster sjell edhe këngë angleze.

Carla Bruni: Po.

B. Pse? Për t’u bërë më e njohur në mbarë botën?

Carla Bruni: Jo, Foster më propozoi këtë bashkëpunim dhe kisha dëshirë të punoja me të. Më pëlqen shumë personaliteti i tij, muzikaliteti i tij. Ky projekt lidhej me të.

B. Ju keni lindur në Itali dhe jeni larguar në moshën 5 apo 6-vjeçare.

Carla Bruni: 6-vjeçare. Po.

B. Ka qenë e vështirë të lije Italinë për Francën?

Carla Bruni: Jo. Italia dhe Franca janë si kushërira, si Italia dhe Shqipëria në njëfarë mënyrë.

B. Nganjëherë edhe kushërinjtë nuk shkojnë mirë.

Carla Bruni: Mund të them se Italianët janë si francezë plot humor.

B. Ka ndryshuar jeta juaj në Francë?

Carla Bruni: JO. Në moshën 6-vjeçare jeta ime ishte familja ime, jetoja më mamanë.

B. Nuk ishte ndonjë ndryshim i madh.

Carla Bruni: Unë kisha një gjyshe franceze me të cilën isha shumë e lidhur. Kam patur gjithnjë një anë franceze.

B. E flisnit frengjishten para se të vinit në Francë?

Carla Bruni: Po, flisja frengjisht me gjyshen.

B. Ju keni studiuar në Zvicër për arkitekturë. Pse?

Carla Bruni: Jo, nuk kam dashur të studioja për arkitekturë, pasi në arkitekturë ka shumë matematikë. Mua matematika nuk më…

B. Nuk ju pëlqente?

Carla Bruni: Mendoj se matematika nuk më donte mua, nuk më hynte në kokë.

B. Më pas ju hytë në botën e modës? Si ndodhi?

Carla Bruni: Në atë periudhë im vëlla, që ishte ende gjallë kishte të fejuarën modele. Ajo quhej Franceska Villahermosa dhe ajo më tha se duhet të provoja. Pra, shkova në një agjenci me…

B. Thjesht për ta provuar.

Carla Bruni: Po, për ta provuar. Dhe ata më morën menjëherë.

B. Ju u bëtë një nga modelet më të famshme të asaj kohe dhe më të paguarat të momentit.

Carla Bruni: Në ato vitet të gjitha modelet u bënë shumë të njohura.

B. Erdhi shpejt fama, le të themi si modele?

Carla Bruni: Pas disa vitesh.

B. Pastaj ju hoqët dorë nga modelingu për t’iu dedikuar muzikës? Atëherë kur ishit në kulmin e karrierës si modele.

Carla Bruni: Jo, modelingu tashmë kishte përfunduar, isha 30 vjeç. Është një profesion që mund ta bësh vetëm kur je shumë e re, pasi ai ambient ka nevojë për risi, fytyra të reja, vajza të reja, fotografë të rinj. Eshtë i nevojshëm rinovimi.

B. Pse zgjodhët muzikën? Ngaqë ju pëlqente? Pati ndikim nëna juaj?

Carla Bruni: Muzika më ka pëlqyer gjithmonë dhe luaja muzikë.

B. Latë modelingun për muzikën, po kur u bëtë Zonja e parë e Francës, hoqët dorë nga muzika?

Carla Bruni: Jo. Sigurisht që jo.

B. Vazhdonit të luanit muzikë?

Carla Bruni: Po, çdo ditë.

B. Edhe koncertet i vazhduat?

Carla Bruni: Jo, ishte e pamundur të shkoja në koncerte. Kam bërë pak koncerte, në fakt.

B. Si u njohët me Nikolas Sarkozy?

Carla Bruni: E kam njohur… isha e ftuar në një darkë mes miqsh, ku ishte edhe ai. Në një mënyrë shumë normale.

B. Pra, ishte një darkë e zakonshme. E dinit që do të vinte presidenti në atë darkë?

Carla Bruni: Po. Ishte një darkë, le të themi një tavolinë e vogël me 8-10 persona.

B.Mes miqsh?

Carla Bruni: Po. Ishte një darkë mes miqsh.

B. Si qe impakti i parë? Ju kishit votuar për Segolene Royale?

Carla Bruni: Jo, unë nuk votoja, pasi kisha pasaportë italiane. Kam votuar për herë të parë në Francë në 2009 dhe nuk do të votoja kurrë për Segolene Royale. Problemi me gazetarët është se ata thonë shumë budallallëqe dhe pastaj shiten si të vërteta. Gjithsesi kjo nuk ka rëndësi. Unë… e dija që do të vinte Presidenti i Republikës, por isha e ftuar nga miq që i njihja prej kohësh, ndaj shkova.

B. Keni patur ndonjëherë interes për politikën?

Carla Bruni: Jo.

B. Jeni martuar vetëm tre muaj pasi ishit lidhur, apo jo?

Carla Bruni: Ishte disi e komplikuar nëse nuk martoheshim, çështjet e protokollit…Pastaj…

B. Media dhe gjithë vëmendja përqedrohej tek ju. Ishte një dashuri me shikim të parë.

Carla Bruni: Mund të them se po. Ndodhi përnjëherësh.

B. Çfarë ju tërhoqi më shumë tek ai?

Carla Bruni: Nuk i them asnjëherë gjërat e mia sekrete, ndjenjat personale. Mund të sajoj një fjali nëse doni. Energjia e tij, fakti që…

B. Frazat komune.

Carla Bruni: Ama nuk do ta mësoni kurrë të vërtetën. Është përjetim personal.

B.Më mirë të mos e thoni kurrë.

Carla Bruni: E vërteta është intime, më përket mua. Ndonëse janë persona publike, kanë të drejtë të kenë privatësinë e tyre.

B. Sigurisht. Ju u bëtë zonja e parë e Francës, First Lady në 2008. Për një vajzë modele, këngëtare, le të themi një grua me famë, qe më e lehtë të ishit zonja e parë? Apo qe më e vështirë?

Carla Bruni: Mendoj se ishte më e lehtë pasi isha mësuar tashmë me mediat, me fotografët, me gazetarët, ndaj mendoj se ishte më e lehtë.

B. Ju duke qenë modele dhe këngëtare keni patur marrëdhënie më normale me median sesa në statusin e zonjës së parë. Politika ka marrëdhënie mjaft të ndërlikuara me median.

Carla Bruni: Po, marrëdhënia me median është e ndërlikuar. Edhe kur…

B. Edhe kur je arstist.

Carla Bruni: Nuk mendon edhe ti kështu? E di që nuk merresh me politikë, por jam e sigurt që edhe ti ke problemet e tua me median.

Kur dikush bëhet i njohur, kjo është normale.

 

B. Cila ka qenë përvoja juaj si First lady?

Carla Bruni: Ka qenë vërtetë interesante.

B. Cilët kanë qenë personat më intersantë që keni takuar?

Carla Bruni: Kam takuar njerëz anonimë që bëjnë një punë të jashtëzakonshme, në OJF, njerëz që ndihmojnë të tjerët, infermierë, doktorë, zjarrfikës…

B. Ju keni udhëtuar shumë nëpër botë. Dikush që ju ka lënë mbresë.

Carla Bruni: Po, e kam shoqëruar bashkëshortin gjithandej. Ka qenë mjaft interesante të takoje Nelson Mandela, Dalai Lama dhe mbretëresha e Anglisë më ka lënë mbresë.

B. Nelson Mandela, Dalai Lama sigurisht që janë përsona mjaft interesantë.

Carla Bruni: Edhe mbretëresha e Anglisë.

B. Natyrisht, edhe mbretëresha e Anglisë. Cilat kanë qenë detyrat e zonjës së parë?

Carla Bruni: Nuk mund të quhen detyra dhe nuk ishin të vështira. Kisha një fondacion që e kisha krijuar për të ndihmuar personat në nevojë. Ndihmoja që të kishin akses në art dhe kulturë njerëzit e varfër, të moshës së tretë apo të braktisurit. Fondacioni ka organizuar shumë koncerte në spitale, në burgje, në azile, dhe kisha disa detyrime sipas protokollit që ishin mjaft të lehta.

B. Madje edhe më të lehta se të tjerat. Ju keni patur një rol të rëndësishëm edhe në luftën kundër sidës. Si nisi kjo?

Carla Bruni: Kur sida u shfaq në botën tonë, përhapja si një epidemi qe vërtet mizore. Bota e modës ku punoja edhe unë u mobilizua në luftën kundër sidës. Të gjithë përpiqeshin të kuptonin si mund të luftohej kjo sëmundje që lindi në vitet ’80. Eshtë një luftë që vazhdon edhe sot dhe nuk ka reshtur. Ndonëse janë zbuluar ilaçet që e shërojnë, në shumë vende nuk gjenden ilaçet.

B. Sidomos më Afrikë.

Carla Bruni: Edhe në Indi. Pastaj janë ilaçe dhe nuk është zgjidhja më e mirë. E rëndësishme është të mbrohesh, nëse na dëgjojnë të rinjtë.

B. Kur keni takuar njerëz që kanë vështirësi për të jetuar gjatë turneve që keni bërë apo gjatë vizitave kur shoqëronit bashkëshortin, cila ka qenë përshtypja e tyre kur takohen me një zonjë të bukur, të suksesshme.

Carla Bruni: Duhet të pyesni ata.

B.Po ju si ndiheni?

Carla Bruni: Unë ndihem si një njeri normal, jam si ata. Ky është thjesht një detaj. Edhe pse ndihem njeri me fat. Le të themi që të gjithë lindin dhe vdesin, kjo është e njëjtë për të gjithë. Kjo është thelbësore në jetë, lind dhe vdes.

B.Ka shumë njerëz me fat që nuk e bëjnë këtë.

Carla Bruni: Po, ka njerëz shumë egoistë, por unë ndihem mirë vetë, më pëlqen të jem bujare. Kjo më bën njeri më të mirë.

B.Si vazhdon turneu më pas?

Carla Bruni: Do të kemi një koncert në jug të Francës, pastaj në Spanjë, në palma de Majorka.

B.Keni bërë ndonjë llogari në sa vende keni kënduar deri tani?

Carla Bruni: Jo. Unë nuk e di, por producenti Aleni me siguri e di.

B.Cili është vendi më i bukur që keni vizituar, që ju ka pëlqyer më shumë?

Carla Bruni: Vendi që më ka pëlqyer më shumë?!

B. Le të themi ku jeni ndier më mirë?

Carla Bruni: Çdo vend ka të bukurën e tij, një anë të veçantë, aromën apo shijen që e karakterizon. Më pëlqejnë të gjitha vendet. E dua shumë Amerikën e Jugut. Më pëlqen të këndoj në Gjermani, Rusi…

B. Ju keni korrur sukses edhe në Brazil sipas shtypit.

Carla Bruni: Koncerti në Brazil ishte shumë i bukur. Në fakt, muzika braziliane më ka frymëzuar gjithnjë, në çdo moment kur shkruaja.

B.Ju shkruani tekste edhe për të tjerët?

Carla Bruni: Po.

B. Kompozoni muzikë edhe për të tjerët?

Carla Bruni: Po.

B. Ju bën të ndiheni mirë kjo?

Carla Bruni: Po. Është kënaqësi.

B. Desha t’ju pyes pasi kam dëgjuar se pas këtij, do të dalë edhe albumi numër 6. I keni vënë një titull?

Carla Bruni: Jo. Është ende herët për këtë, nuk e kam hedhur ende në letër.

B.Nuk është parashikuar kur do të dalë?

Carla Bruni: Jo.

B.E sigurt?

Carla Bruni: Sigurisht.

B.Ama po punon për këtë? Ju keni mësuar kur ishit 28 vjeç, uroj të mos gabohem nga informacionet e marra nga shtypi, se kishit një baba biologjik dhe nuk ishte babai juaj ai që ju rriti. Si e pritët këtë?

Carla Bruni: Nuk ishte një ndjenjë traumatizuese, përkundrazi qe njëfarë lehtësimi.

B. Si është marrëdhënia juaj me babain biologjik?

Carla Bruni: Një marrëdhënie shumë e bukur, por ai tani jeton në Brazil dhe…

B.Po me nënën?

Carla Bruni: Një marrëdhënie shumë e bukur

B. Sipas shtypit ju flisni çdo ditë në telefon me nënën tuaj.

Carla Bruni: Pothuajse çdo ditë, dje dhe sot nuk i kam telefonuar. Për shkak të moshës… njeriu kur e ka nënën në atë moshë, do të përfitojë sa më shumë. Megjithatë nëna ime gëzon shëndet të plotë dhe mendoj se do të jetojë 130 vjeç.

B.Thuhet se ju keni patur lidhje me burra të famshëm. Me Mick Jagger, për shembull. I mban ende lidhjet me të?

Carla Bruni: Këtë po e thoni ju, nuk e kam thënë unë.

B.Ju nuk e keni thënë?

Carla Bruni: Kurrë.

B.Sipas shtypit ju keni qenë të afërt edhe me presidentin Trump.

Carla Bruni: Jo, e kam parë njëherë në avion, kaq.

B.Kaq?

Carla Bruni: Nëse doni të keni më shumë informacion, mund të kërkoni. Ka plot zona të tilla ku mund të gjesh, është e lehtë. Mjaft të përpiqesh.

B. Të kërkosh…

Carla Bruni: Nëse dikush kërkon të zbulojë të vërtetën, ia del.

B. Ju në Butrint do të vini për koncertin dhe do të rrini në Shqipëri vetëm një natë?

Carla Bruni: Vetëm një natë për fat të keq, pasi të nesërmen kam një punë në Paris dhe duhet të jem këtu. Por do doja të kthehesha bashkë me fëmijët për të ndenjur më gjatë, disa ditë pushime. Do ishte bukur, do të kthehem.

B. Do të ishte shumë bukur. Ju do të jeni në Butrint e shoqëruar nga bashkëshorti juaj?

Carla Bruni: Po, do të jem me bashkëshortin.

B. Mendoj se edhe ai vjen për herë të parë.

Carla Bruni: Jo, ai i njeh politikanët e rëndësishëm të vendit tuaj. Mendoj se ka qenë edhe më parë në Shqipëri, nuk jam e bindur. Mbase gabohem.

B.Mendoj se jo. Ose mbase gabohem unë.

Carla Bruni: Ndoshta ju keni të drejtë.

B.Si President nuk ka qenë në Shqipëri. Mbase më parë.

Carla Bruni: Ndoshta më parë.

B.Cila është marrëdhënia juaj me vajzën? Je një nënë e mirë?

Carla Bruni: Nuk e di këtë. Duhet të pyesim fëmijët për këtë.

B.Për fëmijët nënat janë gjithmonë të mira.

Carla Bruni: Jo, nuk është e vërtetë. Jo gjithmonë… të jesh nënë nuk është edhe aq e lehtë. Por Xhulia është fëmijë i mbarë, shumë e këndshme dhe ka lidnur kur ne ishim pak pleq.

B.Kaloni kohë me fëmijët?

Carla Bruni: Sa më shumë që të mundem.

B.Edhe një pyetje, ndoshta e fundit. Të jesh një vajzë e bukur dhe e pasur, e bën kjo jetën më të lehtë?

Carla Bruni: Më shumë se vajzë e bukur apo e pasur, e konsideroj veten me fat. Kam marrë shumë dashuri dhe përkujdesje. Kam një temperament të ekuilibruar dhe për momentin gëzoj shëndet të mirë. Këto janë gjërat e rëndësishme të jetës.

B.Sidomos shëndet.

Carla Bruni: Bukuria me kalimin e kohës ikën. Kur plakesh, i bukur apo i shëmtuar, je plak. Pasuria është diçka relative. Ndoshta miliarderët janë gjithmonë të pasur, por njerëzit normalë në një moment të jetës kanë para, në një moment tjetër më pak.

B.Edhe mbeten pa gjë.

Carla Bruni: Pastaj artistët nuk i përkasin asaj kategorie njerëzish që bëhen të pasur. Disa arstitë pasurohen vërtet, por ndodh rrallë. Edhe ata më të famshmit ndonjëherë janë të varfër. Për disa profesione është e vështirë të kesh një punë të përhershme, edhe profesioni juaj ka pasiguri. Nuk ndodh si me funksionarët e lartë, mjekët…

B.Që kanë profesione të sigurtë.

Carla Bruni: Ajo që dua të theksoj është se kam patur shumë fat në jetë. Nuk e di përse, nuk është çështje merite, por sipas meje ka ndodhur rastësisht. Kush ka fat në jetë, ka fat dhe kaq.

B. Edhe kjo ka njëfarë vlere në jetë. Ju jetoni në Paris?

Carla Bruni: Po, unë jetoj në Paris.

B. A ka ndryshuar Parisi nëse e krahason me kohën kur ju erdhët këtu?

Carla Bruni: Po, ka ndryshuar shumë. Parisi ka qenë një qytet me ciklet e veta. Për shembull në verë apo të dielave rrugët ishin bosh, ndërsa tani është i tejmbushur. Nuk ka ndryshuar Parisi, por popullsia e botës. Jemi shumë, jemi vërtet shumë.

B.Jemi shumë tashmë dhe njerëzit udhëtojnë më shumë. Mbase edhe kjo ndikon, mjetet e transportit janë shtuar.

Ju falenderoj për intervistën.

Carla Bruni: Faleminderit.

Uroj dhe besoj që koncerti në Butrint do të jetë i mrekullueshëm për ju dhe për Shqipërinë.

Carla Bruni: Edhe unë.

Shpresoj që ju do të vini apo do të jeni me pushime? Jam i sigurt që do të riktheheni në Shqipëri për pushime. Ju falenderoj pa masë.

Carla Bruni: Faleminderit dhe mirupafshim.

/Opinion