Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Dy kandidatët e mëdhenj për bashkinëe Tiranës, Edi Rama i PS dhe Besnik Mustafaj i konfirmuar mbrëmë nga PD, kanë qenë mjaft të përmbajtur në deklaratat e tyre. Rama dhe Mustafaji, dy emrat pretendentë më të mudshëm për vendin e Brojkës, ndryshe nga ç’pritej kanë deklaruar se do të fitojnë mbi kundërshtarin, jo nëpërmjet fyerjeve, por nëpërmjet platformave.  

Besnik Mustafaj:- “Unë do e nisë fushatën time me shpalosjen e alternativës së PD, qoftë me grupet e vogla, qoftë më gjerë në popullsinë e Tiranës, duke e shprehur bindjen time se kjo është alternativa më e mirë”.

Gazetarja:- Ndërkohë si e shihni veten përballë kandidatit socialist Edi Rama?

Besnik Mustafaj:- “Objektivi kryesor i fushatës time nuk është rivaliteti me kandidatin e asnjë partie, ne jemi në një garë, objektivi im kryesor është shpjegimi i alternativës të PD dhe bagazhit që ofroj unë”.

Edi Rama:- “Tirana është një metropol, ku bashkëjetojnë shqiptarë që vijnë nga të katër anët e Shqipërisë dhe në këtë mes nuk ka asgjë për t’u diskutuar. Tjetër gjë është fakti që Besnik Mustafaji vjen nga i njëjti vend me kreun e PD dhe i është quajtur atij si një favor, por kjo është për t’u parë”.

Gazetarja:- Ndërkohë mendoni se gara do të jetë e fortë për Bashkinë e Tiranës?

Edi Rama:- “Mendoj që do të jetë një garë ku do më jepet mundësia të tregoj  konkretisht se është koha që pushteti vendor në Tiranë t’ju kthehet qytetarëve dhe të mos mbetet më peng i një grupi njerëzish të cilët në 8 vjet nuk kanë bërë asnjë gjë për qytetin e Tiranës”

Nëse këto tone do të mbeten deri më 1 Tetor, atëherë Tirana më tepër se një kryebashkiak, do të fitojë një fushatë civile që i ka munguar Shqipërisë në këto dhjetë vjet./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego