Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Gazetari Blendi Fevziu:- Zoti Kadare mirëdita! Besoj ju i keni ndjekur zhvillimet më të fundit elektorale në Shqipëri dhe në Kosovë, do të kërkoja për teleshikuesit e TV Klan një opinion tuajin. Duke nisur nga fushata elektorale në Shqipëri a keni të dhëna, si po e përcillni në Paris atë dhe sa mendoni se është kjo fushatë e ndryshme nga ato të deri tanishmet?

Shkrimtari Ismail Kadare:- “Për fat të mirë, unë kam dëgjuar që në një pjesë të madhe të Shqipërisë, fushata po shkon shumë mirë. Informacioni im nuk është i saktë dhe i plotë, por në ato kontakte që kam pasur më kanë thënë këtë gjë”.

Gazetari Blendi Fevziu:- Realisht, a keni frikë personalisht, që mund të ketë përsëri trazira gjatë zgjedhjeve në Shqipëri?

Shkrimtari Ismail Kadare:- “Po dëshiroj që ta largoj këtë mendim, dëshiroj që kjo të mos ndodhi dhe prandaj mundohem të mos e mendoj. Mendoj dhe e kanë thënë edhe shumica e shqiptarëve se zgjedhjet këtë herë në Shqipëri janë vërtet të veçanta, sepse në kuadrin Ballkanik, Shqipëria ka një shans të japi një shembull të mirë, që do të jetë themelor për peshën e saj në gadishull. Këto zgjedhje janë të veçanta sepse kryesorja nuk është përfundimi, por është mënyra se si do të zhvillohen. Thelbi i demokracisë është kalimi pa dhunë i pushtetit nga një parti tek tjetra. Është mëkat që Shqipëria ta humbasi këtë rast, për veten e saj, për tërë Ballkanin dhe imazhin e saj në botë, por edhe për fatin e Kosovës”.

Gazetari Blendi Fevziu:- Në debatin më intensiv dhe më interesant në Shqipëri, që po zhvillohet mes dy kandidatëve kryesor për Bashkinë e Tiranës, zoti Besnik Mustafaji dhe zotit Edi Rama. Ju personalisht a keni një preferencë mes këtyre dy kandidatëve?

Shkrimtari Ismail Kadare:- “Unë nuk kam të drejtë që të jap një mendimin tim për këtë gjë, meqenëse këtë do ta vendosin banorët e kryeqytetit dhe çdo parapëlqimi im do ta quaja si një ndërhyrje pikërisht në atë që quhet vota e lirë, meqenëse unë jam njeri i njohur nuk do të dëshiroja të abuzoja me këtë dhe veç kësaj sinqerisht u them se nuk kam ndonjë parapëlqim. Për mua e rëndësishme është procesi zgjedhor”./tvklan.al