Të pyetur nëqoftese do të bënin një dallim midis Qeverisë Nano dhe Qeverisë Majko cili do të ishte ai politikanët Vasil Melo, Neritan Ceka dhe Sabri Godo përgjigjen.

Dallimi do të ishte që Qeveria Majko po përpiqet të rimarrë një dialog me Opozitën dhe të përballojë me një ndjenjë të lartë t’i zgjidhë problemet që shqetësojnë aktualisht vendin. T’i lemë të punojnë për një kohë më të gjatë dhe pastaj të mund t’i gjykojmë se dikastere të ndryshme s’i kanë kryer veprimtarinë e tyre.”– u shpreh Melo.

Janë 100 ditë në drejtimin e duhur, natyrisht janë pak për të ndodhur çudira, por mendoj se janë korrigjuar disa gabime të qeverisë së mëparshme, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, kontrabandës, që përbën një nga motivet kryesore të kësaj qeverisje. Unë do përcaktoja 4 ose 5 kollona kryesore në të cilën duhet të punojë tani qeverisja. Së pari, për forcimin e rendit, një mbështetje më e gjerë e forcave të policisë. Së dyti, fiksimi i statusit te pronës, duhet krijuar një institucion i veçantë shtetëror, ndoshta në rang ministrie,për të zgjidhur statusin e pronës, qoftë për të kompensuar pronarët e vjetër, për të siguruar pronën e re, për të garantuar pronë publike e cila është në shkatërrim të plotë edhe për të hapur perspektivën e investimeve. Një drejtim i tretë do të ishte privatizimi, i cili duhet të marre ritmet e nevojshme edhe përkrahje e biznesit shqiptar duke gjetur burime kreditime. Një drejtim tjetër është pastrimi i drejtësisë dhe përcaktimi i kuadrit ligjor për një drejtësi të pavarur dhe kompetente. Unë jam shprehur kundër ndryshimeve të cilat mund të shkaktonin tronditje strukturore dhe me kohë pastaj i takon Kryeministrit të përcaktojë ku i pikon çatia.”– tha Neritan Ceka


Ndërsa Sabri Godo u shpreh :”Unë nuk shoh të jetë bërë ndonjë përparim gjatë qeverisjes Majko, të paktën në ato drejtime që janë më të dhimbshme për popullin shqiptar, për rendin, por edhe në drejtim të zhvillimit ekonomik. Shpresoj se me bërjen e Kushtetutës, Qeveria do të vihej të forconte institucionet, të bënte ligjet që do të përputhnin administrimin e vendit me atë çka kërkon Kushtetuta. Mund të ketë ndonjë përmirësim shumë të ngadalshëm por asgjë të dukshme që të binde njerëzit që kjo qeveri po drejton me energjinë e duhur dhe është vënë seriozisht të përballojë problemet. Kjo është shqetësuese. Nëqoftëse nisemi me mendimin që është një qeveri e re, kjo është e vërtetë, por kemi parasysh edhe faktin që nuk kemi shumë kohë. Nuk mund të themi që të mbetet kjo Qeveri në provë për dy vjetët që vijnë fjala vjen, se çeshtjet që presin zgjidhje janë shumë të ngutshme.”/tvklan.al

Gazetar : Vladimir Lame