inukInspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar e injoroi vendimin e dhënë nga Gjykata Administrative dhe i bllokoi sërish punimet në bulevardin e ri të Tiranës.

Tre ditë më parë gjykata e quajti të paligjshëm një veprim të tillë. Sot nuk dihet se me ç’argument INUK i është rikthyer vendimit të rrëzuar nga gjykata. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo tha se INUK po vepron pa mandate, në kundështim me ligjin dhe se askush nga drejtuesit e tij nuk shpjegon arsyet e bllokimit.

Teksa i konsideron absurde dhe në shkelje të ligjit veprimet e INUK, Bashkia e Tiranës bëri një kallzim penal ndaj Inspektoriatit në prokurorinë e Tiranës.

Në vendin ku po kryhen punimet dolën edhe banorë që shpronësohen nga ndërtimi i bulevardit. Por Nënkryetari i Bashkisë akuzoi kryeministrin se po i përdor edhe banorët për qëllimin e tij që ta bllokojë me çdo kusht ndërtimin e këtij projekti.

Në takim me banorët që preken nga ky investim shkoi edhe Prefekti i Tiranës Sadi Vorpsi. Ai pranoi se ka rrëzuar atë pjesë të buxhetit të Tiranës ku parashikohet fondi i shpronësimit për banorët por në krahun tjetër kërkon që banorët të dëmshperblehen.

Prefekti tha se ishte në krah të pronarëve duke kërkuar zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave të 2013 për shpronësimin e banorëve, vendim që banorët kërkojnë të ndryshohet për të rritur vlerën e shpronësimit por prefekti megjithëse është një përfaqësues i qeverisë nuk dha asnjë koment për këtë çështje.