Në një lidhje në Skype për programin “Rudina”, në TV Klan ishte sporanoja Inva Mula. Në këto ditë vetëizolimi si pasojë e pandemisë, ajo është duke qëndruar në shtëpi me vajzën Nina dhe bashkëshortin, biznesmenin Hetem Ramadani.

Inva Mula: Jemi mirë dhe si të gjithë, të disiplinuar për mos qenë rrezik për të tjerët dhe për veten tonë, duke qëndruar në shtëpi.

Sopranoja shprehet se kjo periudhë shërben edhe si një reflektim për të gjithë, për mënyrën si kemi jetuar më parë dhe sesi e kemi shpenzuar kohën. Sipas Mulës kjo pandemi do ndryshojë mënyrën tonë të të menduarit dhe stilin e jetës.

Inva Mula: Nëse keni parë të gjithë janë mobilizuar për të bërë diçka, për të bërë jo diçka individuale, por për t’u lidhur virualisht dhe për t’u ndjerë bashkë. Unë mendoj se të gjithë janë duke reflektuar edhe mënyrën si kemi jetuar më parë dhe mënyrën sesi kemi shpenzuar më pak kohë me familjen, më shumë me gjëra që na kanë marrë kohën dhe nuk na kanë lënë që pikërisht të jemi pranë fëmijëve tanë dhe gjërave esencialë të jetës. Unë mendoj se me këtë pandemi do ndryshojë dhe mënyra e të menduarit, do ndryshojë dhe stili i jetës, do ndryshojnë shumë gjëra. Unë jam shumë e prekur nga gjithë ky entuziazëm, se njerëzit kanë një entuziazëm që ngelet personal, secili në mënyrën e vet, por duke dashur për ta ndarë me të tjerët. Prandaj janë bërë shumë takime virtuale, shumë takime artistike. Janë bërë takime virtuale te jashtëzakonshme, për të arritur artistikisht këtë bashkim virtual, që them se nuk është bërë kurrë dhe ka qenë e nevojshme.

Ndonëse në kushte izolimi, sopranoja ka prezantuar për herë të parë edhe produksionin e realizuar prej saj, kompozitorit dhe pianistit të njohur Genc Tukiçi dhe në violinë virtuozi, Olen Çezari nga Roma. Të tre së bashku kanë risjellë një nga këngët më të bukura për jetën “Gracias a la vida”./tvklan.al