Një ndër shkaqet kryesore të dyfishimit të sëmundjeve vdekjeprurëse në Shqipëri, konsiderohen mbetjet e rrezikshme. Një ndër kompanitë, që fiton miliona euro me biznesin e trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore, “Euroteam” rezulton se konsumon rregullisht krim mjedisor. Një investigim i emisionit ‘Stop” tregon sesi mbahen mbetjet e rrezikshme në kushtet e një magazine të pushtuar nga flakët. Më pas, një kamion ngarkohet me to dhe ngarkesa përfundon në brigjet e lumit Erzen në Picallë të Tiranës.

Mbrëmjen e sotme në Emisionin “Stop” në Televizionin Klan janë transmetuar pamjet e rënda të dhunës që administratorja e kompanisë për dezinfektimin dhe riciklimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, “Euroteam” Mirela Topulli ka ushtruar ndaj gazetarit Genci Angjellari.

Pas investigimit të rrugës që bënin mbetjet e rrezikshme spitalore dhe derdhjes së tyre në brigjet e lumit Erzen, Inspektorati i Mjedisit, grupi i policisë dhe OPGJ shkuan në vendngjarje për hetimin e skandalit.

Por edhe pas njoftimit të autoriteteve, mbetjet e rrezikshme “u zhdukën” gradualisht nga vendi, ku u hodhën javën e kaluar.

Gazetari i “Stop” kërkoi shpjegim për krimin mjedisor edhe nga aksionerja dhe administratorja e firmës “Euroteam”, Mirela Topulli. Por kjo e fundit, e gjendur përballë provave të pakundërshtueshme të skandalit, ushtroi dhunë mbi gazetarin Genci Angjellari.

Kompani fantazmë të kontraktuara nga Ministria e Shëndetësisë, licensuar nga Ministria e Mjedisit operojnë në tregun shqiptar për sa i përket sterilizimit dhe riciklimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore. Shqipëria prodhon deri në 2 mijë ton mbetje spitalore në vit, por sa është kapaciteti i mundur nga këto kompani për të bërë punën ashtu siç parashikohet edhe në lejet që u jepen nga Ministria e Mjedisit?

Në bazë të të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili shpeshherë jep alarmin për ndotjen mjedisore, por edhe për shëndetin, këto kompani nuk zbatojnë rregullat dhe vetëm një sasi e vogël e mbetjeve spitalore të rrezikshme arrijnë të asgjësohen sipas normave.

Në vitin 2014, shoqëria private “Euroteam” është pezulluar me urdhër të ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, si dhe i është vendosur gjobë nga Inspektorati i Mjedisit.  

Sipas dokumentit të siguruar nga “Report Tv”, “Euroteam” nuk zbatoi lejen mjedisore të dhënë nga Ministria e Mjedisit.

“Euroteam” është licensuar në vitin 2013 për të trajtuar mbetjet e rrezikshme spitalore të Spitalit të Beratit dhe të disa spitaleve private në kryeqytet.

Në bazë të investigimeve, në ambientet e kësaj kompanie nuk ekziston asnjë pajisje për të bërë dezinfektimin dhe riciklimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore.

“Euroteam” në vitin 2015 u gjobit me 10 milionë lekë të vjetra, por vetëm pas tre muajsh, Ministria e Mjedisit shfuqizon pezullimin e lejes që iu bë, duke i lënë detyrë të përmbushë të gjitha kushtet në bazë të kontratës.

“Euroteam” vazhdon të lidhë kontrata për tërheqjen e mbetjeve të rrezikshme spitalore me institucionet shëndetësore dhe nuk u përgjigjet këtyre subjekteve për tërheqjen e këtyre mbetjeve. Kjo kompani nuk përballon dot volumin e punës për tërheqjen e mbetjeve spitalore, thuhet në raportin e Inspektoratit Shëndetësor.

“Euroteam” ushtron veprimtari të paligjshme për grumbullimin e mbetjeve spitalore të rrezikshme, thotë Inspektorati Shtetëror Shëndetësor më tej.

Prej disa ditësh, “Report Tv” po ndjek abuzimet që po bëhen me mbetjet spitalore, ku shoqëritë private pavarësisht se lidhin kontrata miliona euro, i hedhin ato në lumenj apo nëpër male. Por, këto mbetje kthehen në rrezik për qytetarët shqiptarë, pasi ato përfundojnë në Detin Adriatik, duke rrezikuar prekjen nga hepatitet, infeksionet dhe shumë sëmundje të tjera. Zyrtarisht, as Ministria e Mjedisit dhe as Ministria e Shëndetësisë nuk pranojnë të japin shpjegime për situatën e mbetjeve spitalore.

Emisioni “Stop” ndoqi kamionët e kompanisë “Euroteam” me mbetje të rrezikshme, që në mënyrë të papërgjegjshme hidhen në brigjet e Lumit Erzen.

Nga fshati Fortuz, ku ndodhet edhe kompania e riciklimit të mbetjeve spitalore ‘Euroteam’, ne kemi ndjekur kamionët të cilët janë furnizuar me mbetje spitalore. Ne kemi arritur të zbulojmë se këto mbetje spitalore hidhen fare pranë bregut të Lumit Erzen, në një kantier. Të gjitha ato mbetjet me ngjyrë bojëqielli janë mbetje spitalore të sjella nga kamionët që punojnë për kompaninë ‘Euroteam’

”, tha gazetari Genci Angjellari, i cili edhe u dhunua fizikisht nga administratorja e kompanisë për dezinfektimin dhe riciklimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, “Euroteam” Mirela Topulli./tvklan.al

https://www.youtube.com//embed/71BaxiY8-H4