Bashkia e Tiranës do të përqëndrojë një pjesë të investimeve në fshtra dhe zona atraktive për turistët. Gjatë festës tradicionale të Shëngjergjit, që i dedikohet prodhimit të domates, kryebashkiaku Veliaj bëri me dije se kjo zonë do të jetë një ndër përfitueset e projekteve.

“Ideja e 100 fshatrave, ku ne insistuam që Shëngjergji të ishte kurora e këtij projekti për Tiranën, është falë këtij investimi të qeverisë shqiptare. Do të na shikoni shumë gjatë këtij viti, ku do të nisim me disa punime nëpër fshatrat e zonës, nëpër shtigjet ku kalojnë turistët, tek ujëvarat, tek kalatë e vjetra, dhe në shumë nga vendet atraktive të të gjithë krahinës”.

Kryebashkiaku bëri thirrje për konsumim të produkteve vendase, në mënyrë që paratë të mbeten në ekonominë e vendit.

“Shëngjergji është bahçja e Tiranës dhe si e tillë bën domatet më të mira në vend. Kur them se duhet të blejmë produkte lokale, në Baldushk gjelin, në Ndroq vajin, në Petrelë mjaltin, në Shëngjergj domaten, është një mënyrë sesi ekonomia e Tiranës mund të jetojë”.

Përgjatë gjithë ditës, banorë të zonës, por edhe turistë e vizitorë të shumtë, ndoqën një sërë aktivitetesh.

Tv Klan