Muajt e parë të këtij viti kanë rezultuar pozitiv në tërheqjen e investimeve të huaja. Sipas zëvendësministrit të Ekonomisë Eno Bozdo, për 5 muajt e parë të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009 investimet e huaja direkte janë rritur me 27% kryesisht në sektorin energjetik dhe në sektorin minerar.
Eno Bozdo: “Investimet e huaja direkte në vitin 2010 kanë një rritje të konsiderueshme mjaft pozitive prej 27% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këto janë fokusuar përgjithësisht në sektorin e hidrokarbureve dhe të minierave plus një pjesë e konsiderueshme në sektorin e koncesioneve, në sektorin e energjetikës. Në vitin 2009 Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon që kishte rezultuar në një rritje të investimeve të huaja direkte. Në krahasim me vitin 2005 investimet e huaj në vitin 2009 pothuajse janë katërfishuar.”
Zëvendësministri Bozdo ka theksuar faktin se këto investime ndikojnë në mënyrë direkte në zhvillimin ekonomik të vendit.
Eno Bozdo: “Nëse në shifrën e investimeve të huaja direkte për 2009-ën janë të kalkuluara dhe shumat që hynin si rezultat i privatizimeve strategjike, pozitivja e këtij viti është që rritja dhe shuma e arritur në investimet e huaja direkte është si rezultat i injektimeve të drejtpërdrejta të kapitalit të teknologjisë në formën e … në ndërmarrjet shqiptare. Sepse ne nuk kemi patur në 6 mujorin e parë asnjë privatizim strategjik.”
Investimet e huaja luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik kryesisht në rritjen e treguesve të ekonomisë.
Vitet e fundit është parë qartë një interesim i kompanive të huaja që preferojnë të investojnë kapitalin e tyre në Shqipëri, kjo veçanërisht për shkak të klimës favorizuese ekonomike dhe lehtësirave fiskale që ofrohen./tvklan.al
Gazetar: Edjol Halilaj