Rritet interesi i kompanive vendase dhe të huaja për të investuar në fushën e energjisë së rinovueshme në vendin tonë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se po punohet që këto investime të jenë sa më efikase dhe të diversifikojnë sa më shumë prodhimin e energjisë.
“Nga 2019 dhe deri më sot, në këto 5 vite, ka pasur një ndryshim shumë të madh si të interesit për të investuar në energji të rinovueshme, por edhe të interesit për të provuar edhe teknologji të reja, që më përpara nuk ishin në treg. Ajo që ne duhet të bëjmë dhe ne kemi nisur një punë në Ministri të Infrastrukturës dhe Energjisë është një bashkërendim i të gjitha investimeve duke nisur nga OST, Operatori i Transmetimit dhe deri tek Operatori i Shpërndarjes apo dhe deri tek entitetet private, të cila po ndërtojnë kapacitete të reja në Republikën e Shqipërisë. Përveç të gjithë përpjekjes që po bën KESH për të diversifikuar portofolin.”
Këtë konstatim zëvendëskryeministrja e bëri teksa inspektoi rritjen e kapacitetit të nënstacionit elektrik të Rrashbullit në Durrës i cili jep më shumë siguri dhe cilësi në furnizimin e qytetarëve me energji, sidomos gjatë sezonit turistik.
“Kemi nisur një punë shumë intensive dhe shumë serioze përsa i përket të gjithë pjesës së fuqizimit të rrjeteve transmetimit. Jo vetëm të fuqizimit, por kemi dhe plane për të bërë projekte të reja të mëdha të cilat do të kthehen në projekte që do ti shërbejnë të gjithë rajonit, madje edhe linjave të transmetimit europiane.”
Investimet në fuqizimin dhe rritjen e kapaciteteve pritet të vijojnë nga OST edhe në jug dhe juglindje të vendit.
Klan News