Investitorët e huaj i druhen destabilizimit të Maqedonisë. Kreu i këshillit të investitorëve të huaj në këtë vend, biznesmeni austriak Shtefan Peter paralajmëron për pasoja negative për ekonominë maqedonase, nëse marrëveshja me Greqinë nuk miratohet në referendumin e 30 shtatorit, çka mund të largojë investitorët e huaj.

“Nëse Maqedonia vendos kundër Bashkimit Evropian, kjo sjell humbje të besueshmërisë mes investitorëve të huaj. Kjo do të çojë në izolimin e vendit, çka për rrjedhojë sjell largim në masë të fëmijët, të rinjve dhe intelektualëve”, Stefan Peter, Këshilli i Investitorëve të Huaj.

Ekspertët thonë se ekonomia do të jetë sektori më i goditur, nëse populli refuzon marrëveshjen me Greqinë që është kushti kryesor për integrimin euro-atlantik të Maqedonisë.

Edhe zyrtarët e lartë perëndimorë që vizituan Maqedoninë ditët e fundit e theksuan rrezikun e izolimit nga dështimi i marrëveshjes. Megjithatë kryeministri Zaev shprehu bindjen se kauza, “pro” marrëveshjes do të triumfojë dhe i bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht në referendumin këshillimor, që kërkon pjesëmarrës mbi 50% që rezultati të konsiderohet i vlefshëm.

Tv Klan