Trajneri i Interit, Simone Inzaghi foli në konferencë për shtyp, në prag të sfidës së kthimit në çerekfinalen e Ligës së Kampioneve, ndaj Bayern Munich.

Zikaltërit luajnë në shtëpi, me avantazhin 2-1 të ndeshjes së parë, por tekniku i italianëve deklaroi se ekipi nuk duhet të mendojë për këtë.

Inzaghi vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, të cilin e quajti shumë të fortë, ndërsa kërkoi kujdes maksimal.

“Nuk ka tension, por më shumë ka krenari për atë që po bëjmë këtë sezon. Duam ta përsërisim ndeshjen e parë. Në “San Siro” do të jetë një sfidë e madhe, por edhe më e vështirë se ajo e para.

Ndaj Bayern Munich do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Duhet ta harrojmë rezultatin e takimit të parë, por jo performancën. I dimë vlerat e kundërshtarit.

Është një sezon i vështirë, por përpjekjet kthehen në kënaqësi dhe ne duam të vazhdojmë kështu. Bayern nuk ka vetëm anësorët të fortë, por të gjithë ekipin. Kanë një trajner, të cilin e kam respektuar shumë edhe si lojtar, ndërsa në një kohë të shkurtër i ka dhënë skuadrës parimet e tij të lojës. Duhet të luajmë mirë teknikisht, për ta mbajtur sa më shumë topin.

Ndeshja e parë u interpretua shumë mirë, por duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk ishte një finale, por pjesa e parë e një sfide të dyfishtë”, deklaroi Inzaghi.

Ndeshja mes Interit dhe Bayern Munich në “San Siro”, do të luhet të Mërkurën, në orën 21:00. /tvklan.al