Trajneri i Interit, Simone Inzaghi vlerësoi maksimalisht Milanin, në prag të përballjes në gjysmëfinalen e Kupës.
Tekniku zikatër deklaroi se duhet kujdes ndaj kuqezinjve, sepse kanë treguar se mund t’i hapin probleme çdo skuadre. Sipas tij, të dyja ekipet synojnë finalen e Kupës së Italisë.
Ndër të tjera, Inzaghi deklaroi se ndihet krenar që skuadra e tij është në garë për të gjithë trofetë, ndonëse pranoi se tani vjen pjesa më e vështirë.
“Milani është skuadër e fortë, me cilësi dhe mund t’i hapë probleme çdo ekipi. Ata kanë pasur vështirësi të mëdha këtë sezon, por duhet të jemi të kujdesshëm. Milani, ashtu si Interi synon të kualifikohet për në finale.
E dimë se çfarë lojë na pret dhe sa e rëndësishme është ndaj Milanit, në një derbi ku ka dëshirë të madhe për t’u luajtur. Përballë kemi një kundërshtar me cilësi që na ka vënë në vështirësi këtë vit.
Kristjan Asllani nuk do të jetë, pasi mungon për shkak të pezullimit. Jashtë do të jetë edhe Taremi. Lautaron mund ta kemi gati ndaj Parmës. Qëllimi ynë është që në muajin Prill të jemi në garë për të gjithë trofetë sezonalë. E dimë që tani vjen pjesa e vështirë. Ndihem krenar për këtë. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme për ne. E dimë se është një përballje e dyfishtë me 180 minuta dhe jo si kampionati. Megjithatë qasja në fushë do të jetë e njëjtë, me synimin për të bërë një ndeshje të shkëlqyer”, deklaroi Inzaghi.
Derbi Milan-Inter është planifikuar të luhet ditën e Mërkurë, duke nisur nga ora 21:00. /tvklan.al