Irak: Një i vrarë, pesë të plagosur nga një sulm me raketë



Irak: Një i vrarë, pesë të plagosur nga një sulm me raketë

09:46 16/02/2021

Një sulm me raketa të hënën vonë afër aeroportit të Irbilit dhe një baze pranë tij ku ka trupa amerikane, shkaktoi vdekjen e një kontraktori civil të huaj dhe plagosjen e të paktën pesë personave të tjerë, thanë koalicioni amerikan dhe zyrtarët në rajonin gjysmë-autonom të Kurdistanit në Irak.

Një pjesëtar i shërbimit amerikan ishte mes pesë personave të plagosur në sulm, për të cilin mori përgjegjësinë një grup i quajtur Saraya Awliya al-Dam.

As koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe as qeveria e Kurdistanit nuk kishin shumë detaje mbi kontraktorin civil të huaj që u vra.

Sulmi i së hënës ishte më vdekjeprurësi kundër forcave të drejtuara nga SHBA në Irak prej gati një viti. Tensionet janë përshkallëzuar midis milicëve që bashkëpunojnë me Iranin nga njëra anë dhe forcave amerikane dhe aleatëve të tyre irakianë dhe kurdë nga ana tjetër.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha në një deklaratë të hënën në mbrëmje se Shtetet e Bashkuara ishin “të indinjuara” nga sulmi.

“U shprehim ngushëllimet familjarëve të kontraktorit të vrarë në sulm dhe irakianëve të pafajshëm dhe familjeve të tyre që po vuajnë nga këto akte mizore dhune”, thuhej në deklaratë.

Blinken thoshte se kishte komunikuar me kryeministrin e rajonit autonom kurd Masrour Barzani për të diskutuar për incidentin dhe për të premtuar mbështetje në përpjekjet për të hetuar dhe vënë fajtorët para përgjegjësisë.

Të hënën autoritetet thane se rreth tre raketa ranë në një zonë midis aeroportit dhe bazës, duke shtuar se dy raketa të tjera goditën lagjet civile, duke plagosur disa dhe shkaktuar dëme materiale.

Presidenti irakian Barham Saleh shkruante në Twitter se sulmi shënoi një “përshkallëzim të rrezikshëm dhe një akt kriminal terrorist”, sipas agjencisë franceze të lajmeve, AFP.

Barzani e dënoi me forcë sulmin. Zyrtarët e koalicionit thanë se është e paqartë nëse baza ushtarake që strehonte trupat amerikane ishte në shënjestër të sulmit.

Megjithatë grupi Saraya Awliya al-Dam, tha se kishte në shënjestër bazën për shkak “të pushtimit amerikan” të Irakut. Në përgjigje të sulmit, janë shtuar masat e sigurisë përreth aeroportit./VOA







Të ngjashme