Presidenti i Iranit Hassan Rouhani, duke folur sot në një seancë kabineti në Pallatin Presidencial në Teheran, e ka quajtur administratën amerikane të Donald Trump “hakmarrëse dhe kriminale”.  Ai është shprehur se tani mund të shihte ndryshime, me zgjedhjen e Presidentit të ri Joe Biden.

Rouhani po ashtu tha se “Trump donte që të gjitha vendet e tjera ta ndiqnin kur ai ishte larguar nga marrëveshja bërthamore e Iranit në vitin 2018, por askush nuk e kishte bërë, madje as miku tradicional i Amerikës, Bashkimi Evropian.

Në marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore, Irani kishte rënë dakord që të ndalonte programin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Por, filloi shkeljen e marrëveshjes pasi Presidenti Trump u tërhoq në vitin 2018 dhe filloi të vendosë sanksione të njëanshme kundrejt tij.

Ndërsa, Presidenti i zgjedhur Joe Biden është zotuar të ribashkohet në marrëveshjen e vitit 2015 me Iranin, të rënë dakord nga Uashingtoni në kohën kur ai ishte nënkryetar, nëse të dy vendet do të pajtohen në kushtet e vendosura./tvklan.al