Sulmi me armë në një paradë ushtarake në veri të Iranit, ku humbën jetën 25 persona dhe u plagosën 35 të tjerë, ka ashpërsuar edhe më shumë tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Presidenti iranian Hasan Rohani akuzoi Shtetet e Bashkuara si përgjegjëset kryesore për sulmin, që sipas tij janë kryer nga militantë të mbështetur nga aleatët e tyre në rajon si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Të gjitha ato vende të vogla mercenare në këtë rajon janë të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara. Janë amerikanët ata që i nxisin dhe i pajisin me mjetet e nevojshme për të kryer të tilla krime”.

Uashingtoni reagoi ashpër për sulmin e të shtunës. Në një komunikatë për shtyp të Shtëpisë së Bardhë dënohej çdo lloj akti terrorist që çon në humbjen e jetëve të pafajshme.

Por Rudi Guiliani, avokati personal i Presidentit amerikan Donald Trump, citohet nga mediat të jetë shprehur në një takim në Nju Jork me pjesëtarë të grupeve  opozitare iraniane në arrati se rënia e regjimit të Teheranit është çështje kohe. Giuliani shprehu sigurinë për këtë, pavarësisht se tha se mund të duhen ditë, muaj por edhe vite.

Megjithatë linja politike e Presidentit Trump nuk është rrëzimi i regjimit të Ajatollahëve, por detyrimi i tyre të zbusin linjën radikale politike. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka akuzuar Iranin se mbështet grupet ekstremiste në Lindjen e Mesme për të shtuar influencën e vet por edhe se po zhvillon në mënyrë të jashtëligjshme armë bërthamore, duke vënë në rrezik sigurinë e rajonit.

Tv Klan