Irani bëri gabim të madh

Irani bëri gabim të madh

18:30 20/06/2019

Presidenti Donald Trump dha një paralajmërim për Iranin nëpërmjet mediave sociale, disa orë pasi zyrtarët amerikanë të mbrojtjes konfirmuan se Teherani kishte qëlluar një avion amerikan pa pilot mbi hapësirën ajrore ndërkombëtare.

“Irani bëri një gabim shumë të madh”, tha presidenti Trump në Twitter të enjten, ndërsa tensionet mes Uashingtonit dhe Iranit vazhdojnë të përshkallëzohen pas sulmeve të dyshuara mbi dy anije çisternë në Ngushticën e Hormuzit javën e kaluar.

​Zëdhënësi i Komandës Qëndrore Amerikane Bill Urban tha të enjten se një raketë iraniane tokë-ajër goditi një avion pa pilot të mbikqyrjes detare të marinës amerikane në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Ngushticën e Hormuzit.

Ai e quajti atë një “sulm të paprovokuar mbi një pajisje mbikqyrëse amerikane”, dhe tha se avioni pa pilot është përdorur për misionet e inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit mbi rajonet oqeanike dhe bregdetare.

Ushtria amerikane tha se Irani u përpoq të rrëzonte një dron amerikan javën e kaluar dhe tensionet mes dy vendeve u rritën me sulmet kundër anijeve çisternë në rajon për të cilat Shtetet e Bashkuara fajësojnë Iranin, por që Irani i mohon.

Marrëdhëniet janë përkeqësuar që kur Presidenti Donald Trump u tërhoq vitin e kaluar nga marrëveshja ndërkombëtare që kufizon programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Rrëzimi i dronit shënon sulmin e parë të drejtpërdrejtë të Iranit ndaj Shteteve të Bashkuara gjatë kësaj krize.

“Ne nuk kemi ndonjë synim për luftë me asnjë vend, por jemi plotësisht të përgatitur për luftë,” tha komandanti i Gardës Revolucionare Hossein Salami në një fjalim në televizion.

Duke folur para një grumbulli njerëzish në qytetin perendimor të Sanandajit, Salami tha se droni amerikan “shkeli sigurinë tonë kombëtare kufitare”.

“Kufijtë janë vija jonë e kuqe”, tha Salami. “Çdo armik që shkel kufijtë do të asgjësohet”.

Sanksionet e reja amerikane kanë dëmtuar ekonominë e Iranit dhe Teherani ka njoftuar rritjen e prodhimit të uraniumit të pasuruar, ndërsa kërkon ndihmë nga vendet evropiane për të shmangur sanksionet amerikane.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit siguroi dje Kongresin se Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë luftë me Iranin. Por demokratët në Kongres janë të shqetësuar se tensionet në rritje me Republikën Islamike do t’i japin administratës Trump një justifikim për të hyrë në një konflikt ushtarak. Ata paralajmërojnë se Presidenti Trump duhet të respektojë fuqinë kushtetuese të Kongresit për të shpallur luftë.

I dërguari i posaçëm amerikan për Iranin tha se politika e Presidentit Trump në Iran synon përfundimisht të sjellë Teheranin në tryezën e negociatave.

Brian Hook informoi ligjvënësit në një komision të Dhomës së Përfaqësuesve të mërkurën mes shqetësimeve të disa prej anëtarëve të Kongresit se situata në Lindjen e Mesme mund të përshkallëzohet në konflikt ushtarak.

“Askush nuk duhet të jetë i pasigurt lidhur me dëshirën tonë për paqe apo gatishmërinë tonë për të normalizuar marrëdhëniet, nëse mund të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.

Disa në Kongres kanë shprehur shqetësime se dërgimi i trupave amerikane, presionet e sanksioneve dhe retorika e nxehtë mund të tërheqin aksidentalisht Shtetet e Bashkuara në një konfrontim ushtarak me Iranin. /VOA

Të ngjashme
UKT