Irani do të zhvillojë bisedime paraprake për marrëveshjen bërthamore në Romë të premten me palët nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania.

Ministri i Jashtëm Abbas Araqchi tha se bidedimet kanë qëllim përmirësimin e marrëdhënieve të tensionuara me palët europiane. Takimi do t’i paraprijë një raundi të katërt të bisedimeve bërthamore midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, që sërish do të mbahet në Romë të shtunën.

“Sipas mendimit tim, roli i tre vendeve evropiane është zvogëluar për shkak të politikave të tyre të gabuara në të kaluarën. Sigurisht, ne nuk jemi në favor të kësaj situate dhe për këtë arsye u përgatitëm të takoheshim me tre vendet evropiane dhe t’i zhvillonim bisedimet në Romë. Ne jemi të interesuar që kjo çështje të zgjidhet dhe të përfundojë me një mirëkuptim ndërkombëtar”, Abbas Araqchi, ministri i Jashtëm i Iranit.

Reuters raportoi se Teherani kishte propozuar takim me vendet evropiane, të njohura si E3, të cilat janë palë në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 të Iranit me fuqitë botërore, të cilën Presidenti i SHBA-së Donald Trump e braktisi gjatë mandatit të tij të parë.

Që nga shtatori, Teherani dhe tre fuqitë evropiane janë takuar disa herë për të diskutuar çështjen për programin bërthamor. Takimi më i fundit në Mars u mbajt në nivel teknik, duke shqyrtuar parametrat e një marrëveshjeje të ardhshme për të siguruar një tërheqje të programit bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Klan News