Rikthehet diskriminimi në televizionin iranian. Ndeshja mes Augsburg dhe Bayern nuk u transmetua pasi drejtohej nga arbitrja Bibiana Steinhaus.

Pasi censuruan “djallin”, simbolin e Manchester United, gjatë ndeshjes së Champions kundër PSG, kësaj radhe televizioni iranian mendoi ta fshijë nga programacioni ndeshjen Augsburg-Bayern. Kjo pasi sipas ligjeve islamike ndalohet të shfaqen në ekrane femra të veshura në mënyrë liberale.

Dihet tashmë që televizionet në Iran censurojnë edhe filmat. Skenat sipas tyre jo konformë normave, prihen. Por në rastin e një ndeshje live, është e pamundur që të shmangësh pamjet e arbitrit. Për këtë arsye, rregulli u aplikua në mënyrë drastike duke e fshirë ndeshjen nga programi.

Bibiana Steinhaus, partnerja e ish-arbitrit Howard Webb, ka hyrë në histori si gjyqtarja e parë femër që ka drejtuar një ndeshje në Bundesliga. Debutimin e ka patur në vitin 2017 në ndeshjen Hertha Berlin – Werder Bremen.

Sa i përket televizioneve në Iran, kjo nuk është hera e parë e censurës gjinore, ku janë lënë jashtë transmetimeve ceremoni të rëndësishme sportive të turneve futbollistikë.

Tv Klan