Irani ka dënuar sulmet me raketa të Izraelit ndaj caqeve iraniane brenda Sirisë.

Në reagimin e parë zyrtar për këtë incident, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Bahram Ghasemi tha se Siria ka të drejtën të mbrojë vetën ndaj agresionit që vjen nga Izraeli.

Izraeli ka thënë se ka sulmuar pothuajse të gjithë infrastrukturën ushtarake të Iranit në Siri më 10 maj, pasi forcat iraniane kanë hedhur raketa në territorin që kontrollohet nga Izraeli.

Konfrontimi në mes të Iranit dhe Izraelit erdhi dy ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

“Irani dënon fuqishëm sulmet izraelite në Siri. Heshtja e komunitetit ndërkombëtar inkurajon agresionin izraelit. Siria ka çdo të drejtë që të mbrojë vetën”, citohet të ketë thënë Ghasemi për median shtetërore iraniane.

Përshkallëzimi i tensioneve mes dy rivalëve ka ngritur shqetësimin e komunitetit ndërkombëtar.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të të “gjitha akteve armiqësore”, me qëllim që të shmanget “një shpërthim i ri” në Lindjen e Mesme./REL