Konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme, nga një përplasje mes Izraelit dhe ekstremistëve të Hamas, rrezikon që të shndërrohet në një përplasje ushtarake mes shtetesh.

Mediat amerikane raportuan këtë të premte se Irani pritet të sulmojë Izraelin brenda dy ditëve, duke u përfshirë drejtpërdrejtë në luftë, si një hakmarrje ndaj sulmit të ambasadës iraniane në Damask.

Vetëm pak orë pas këtij lajmi, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se kërcënimi për sulm iranian ndaj Izraelit është ‘real dhe i besueshëm’.

“Unë nuk mund të flas për madhësinë, shkallën, shtrirjen e asaj se si mund të duket ky sulm,” tha të premten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirbi, ndërsa shtoi se Uashingtoni “po e ndiqte situatën nga shumë afër”.

Deklaratat e Kirbit i konfirmoi më pas edhe presidenti Biden, i cili duke iu përgjigjur interesit të mediave tha se pritshmëria e tij ishte që sulmi të ndodhte shumë shpejt.

Gjithsesi ai i bëri thirrje Teheranit të mos e ndërmarrë këtë hap, ndërsa theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përgatitura dhe do t’i gjenden pranë Izraelit për t’u mbrojtur.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes së Izraelit dhe ne do ta mbështesim atë. Ne do të ndihmojmë në mbrojtjen e Izraelit dhe Irani nuk do të ketë sukses”, tha ai.

Pas kërcënimeve në rritje, kryeministri Izraelit Benjamin Netanyahu zhvilloi një takim me kabinetin e tij të luftës, ndërsa mediat vendase raportuan se autoritet u kishin bërë thirrje banorëve të bëheshin gati për luftë dhe të përdornin strehimoret publike në rast sulmi.

Tv Klan